Rajoni

Rriten rastet me COVID-19 në Kosovë!

As Kosova nuk po i shpëton tendencës së rritjes së rasteve me koronavirus ndërsa masat kundër COVID-it janë lehtësuar ndjeshëm. Në 24 orët e fundit, autoritetet shëndetësore regjistruan 64 raste pozitive, pas kryerjes së 208 testimeve. Kjo nënkupton se 30.76 për qind e tyre dolën pozitive në krahasim me 17.5 për qind që ishin të dielën. Në periudhën 24-orëshe nuk u raportuan viktima, dhe raste aktive janë 322. Po sipas autoriteteve, një ditë më parë u vaksinuan 63 vetë.

Deri tani, zyrtarët shëndetësorë në Kosovë kanë dhënë mbi 1.8 milion vaksina kundër COVID-it. Mbi 900 mijë banorë kanë marrë dozën e parë, më shumë se 800 mijë që të dyja, ndërsa më tepër se 100 mijë vetë rezultojnë të kenë bërë të tretën.

Prej raportimit të rasteve të para me koronavirus, në mars të vitit 2020, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 3 mijë e 140 vdekje. Për koronavirusin që shkakton sëmundjen COVID-19, për herë të parë u raportua në dhjetor të vitit 2019, në Wuhan të Kinës. Disa muaj më pas, më 11 mars 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH shpalli pandeminë.

Ditët e fundit, edhe në Shqipëri ka një rritje të rasteve pozitive me COVID-19. Një ditë më parë, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu i bëri apel qytetarëve, të vijojnë të vaksinohen. Krahas 90 infektimeve, dje u raportua një humbje jete. Një 72-vjeçar jo i vaksinuar, nuk ia doli të fitojë betejën me sëmundjen e gjeti vdekjen nga COVID-i.

Ndërkaq, nga 366 testime të kryera gjithsej, kanë rezultuar pozitivë me koronavirus, pesë qytetarë në Kavajë, Divjakë, Gramsh, nga tre qytetarë në Patos, Vlorë, Kolonjë, nga dy qytetarë në Durrës, Lushnjë, si dhe nga një qytetar në Mirditë, Fier, Gjirokastër.

Në gjithë vendin tonë, janë 1,825 qytetarë aktivë me COVID-19 dhe aktualisht në spitalin COVID3 po marrin trajtim 17 pacientë. Janë shëruar 104 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 273,844 që nga fillimi i epidemisë.