Aktualitet

Rritet çmimi i naftës, nga sot blihet me 6 lekë më shumë/Rritje edhe për benzinën e gazin!

Me vendim të Bordit të Transparencës, rriten çmimet e karburanteve në vend. Nga ora 18:00 e ditës së sotme, litri i naftës do të kushtojë 202 lekë, pra 6 lekë më shumë se hera e kaluar. Po ashtu u vendos rritje me 3 lekë për litrin e benzinës duke e çuar çmimin në 178 lekë dhe me 2 për të gazit, pra 71 lekë për litër.

Në njoftimin zyrtar thuhet:

Sipas Bordit referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 13.12.2022, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 713, +36 nga data 08.12.2022, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 868, +71 nga data 08.12.2022, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH 109.88 ( – 1.56 nga dt 8).

Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 202 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 190 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 178 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 166 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 71 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 59 lekë/litër për automjetet.

Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 109 lekë/litër.