Auto & Moto

Rritet kontrolli mbi testimin në rrugë të makinave pa shofer

Autoritetet amerikane të sigurisë rrugore kanë lëshuar një urdhër që kërkon që prodhuesit e veturave të raportojnë të gjitha aksidentet që përfshijnë automjetet pa shofer që testohen në rrugët publike.

Deri më sot, janë të paktën 30 shtete në SHBA që lejojnë testimin në botën reale të teknologjisë së ardhshme të makinave autonome, pra që nuk kanë timon dhe ecin vet pa qenë nevoja e përdorimit të  duarve.

Theksojmë se bëhet fjalë për një projekt të ardhmes që aktualisht shkon përtej asaj që është në dispozicion për publikun në treg sot.

Teknologjia e gjeneratës së ardhshme mbështetet më shumë te kamerat, radarët dhe sensorë të tjerë për të lexuar rrugën dhe trafikun, me ndërhyrje minimale nga shoferi, raporton caradvice.com.

Sidoqoftë, në mes shqetësimeve në rritje në lidhje me potencialin e mbështetjes së tepruar në teknologji, Autoriteti Kombëtar i Sigurisë së Transportit në Rrugë (NHTSA) ka prezantuar një sistem të detyrueshëm raportimi për kompanitë e teknologjisë që punojnë me vetura pa shofer që janë të përfshira në një aksident.

Kompanitë përgjegjëse për testimin e këtyre veturave në rrugët publike do të duhet të njoftojnë NHTSA-në brenda një dite pas një rasti aksidenti që përfshin një “lëndim që kërkon trajtim në spital, fatalitetet, tërheqjen e veturës, lëshimi i ‘airbags’ ose përfshirjen e një përdoruesi të ndjeshëm të rrugës siç është një këmbësor ose biçiklist”.