Aktualitet

Rritja e çmimeve ndikoi në import, më pak naftë e kafe gjatë muajit mars!

Çmimet e rritura po japin shenjat e para të ngadalësimit të konsumit të vend.

Pas një rritje të fortë të sasisë së mallrave të importuar në dy muajt e parë të vitit, të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në muajin Mars vendi ynë ka importuar 7400 ton më pak naftë dhe 418 ton më pak kafe.

Në këto kushte, doganat po mbledhin më pak të ardhura nga akciza kundrejt planit të parashikuar për vitin 2022.

Ndërkohë, nga statistikat e transportit vërehet edhe se volumi i përpunimit të mallrave në porte ka pësuar një rënie me 4% në muajin mars, ndërsa për periudhë ne tremujorit është ulur me 7.4%.

Në kontaktin me drejtoritë portuale, Top Channel ka mësuar se rënia ka ardhur kryesisht në portin e Shëngjinit, për materialet e ndërtimit, si edhe në Durrës për shkak të sasive më të pakta të grurit, pas embargos që është vendosur me Rusinë. Por, importi i grurit vazhdon dhe në tre muajt e parë të vitit janë marrë 11 mijë e 600 ton nga vende të tjera europiane.

Ky volum më i ulët i mallrave është ndikuar kryesisht nga çmimet e larta në tregjet ndërkombëtare. Ndërtimi është sektori që ka ngadalësuar ritmin, pasi shumë porosi për materiale dhe kontrata janë anuluar, ndërsa furnizimi është kthyer tashmë në një çështje çmimi.

Pavarësisht volumit më të ulët, qeveria ka vijuar të mbledhë të ardhura rekord, për shkak të çmimeve të rritura dhe në tre muajt e parë mblodhi 30 mld lekë më shumë.