Aktualitet

Rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe rikthimi i fashave, ja se çfarë mendojnë qytetarët…

Pasojat e luftës në Ukrainë vazhdojnë të sjellin problematika edhe në vendin tonë. Sipas Kryeministrit Edi Rama, kjo fatkeqësi po shtrembëron dhe këput hallka të zinxhirëve ekonomikë të furnizimit të mbarë botës, me energji, naftë, gaz, grurë, misër, hekur e me radhë, duke goditur çmimet e produkteve bazë për ushqimin e njerëzve dhe për zhvillimin e vendeve.

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku ka sqaruar më herët si do të veprohet me ato familje të cilat do të harxojnë mbi 700 kw, për të cilat është parashikuar një rritje e çmimit. Në një intervistë për mediat, Balluku u shpreh se ende nuk ka një vendim, pasi për momentin janë duke analizuar konsumin.

Sipas saj, kjo rritje është një kërkesë e vetë familjarëve, që siç sqaron ministrja e konsiderojnë të padrejtë faktin që të gjithë paguajnë njësoj, ndërkohë që ka konsume që nuk kanë lidhje me përdorimin vital. Sa i përket përdorimit familjar, 700 kw/orë, është bërë një analizë dhe 700 kw orë i përkojnë një konsumi mesatar të qëndrueshëm për një familje me një numër të konsiderueshëm anëtaresh.

Para pak ditësh në faqen e Web-it në Top Albania Radio vendosëm një sondazh ku pyesnim qytetarët se çfarë mendojnë ata mbi rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe rikthimin e fashave. Rezultatet nuk ishin dhe aq surprizuese, por deri diku të pritshme. 79% janë përgjigjur që nuk janë dakord me rikthimin e fashave, 14% janë shprehur se janë dakord dhe vetëm 7% janë shprehur të pasigurtë.

Po e njëjta pyetje është ngritur dhe në YouTube Community dhe rezultatet nuk janë shumë të ndryshme. 60% e njerëzve janë përgjigjur se nuk janë dakord, 26% janë përgjigjur me ‘po’ dhe 13% me ‘nuk e di’.

Ndërkohë ne kemi ngritur dhe një sondazh të ri ku mund të jepni mendimin tuaj. A mendoni se ka ardhur momenti për të patur një presidente grua në Shqipëri? Votoni këtu.