Aktualitet Celebrities Live From Tirana

Rritja e çmimit të karburantit, aktivisti Pano Soko reagon në TAR: “Putin nuk ka vetëm Rusia, në Shqipëri kemi Putin të gjatë”!

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte i ftuar aktivisti Pano Soko. Si po na gjen protesta e fundit për rritjen e çmimit të karburantit dhe jo vetëm?

Është spontane e gjitha. Situata nuk ka nevojë për shumë bujë, për shumë thirrje, ka nevojë vetëm për një shkëndijë dhe njerëzit vinë vetë në shpesh. Situata është alarmante, nuk ka të bëjë me gjëra subjektive ka të bëjë me gjera të prekshme. Është një protestë e kuptueshme nga të gjithë. Prek një produkt esencial për jetën e njeriut, siç është nafta. Sot forma e protestës së shqiptarëve është e të larguarit nga Shqipëria, nuk është përballë kryeministrisë por përballë Aeroportit të Rinasit. Është një formë proteste që nuk bëhet me bori por me valixhe në dorë. Ne kemi parë ikje të shqiptarëve për shkak të protestës që kanë ndaj realitetit.

Pas kaq shumë vitesh demokraci, çfarë nuk shkon me Shqipërinë, çfarë i mungon?

Ne kemi qenë vendi i parë që u anëtarësua në OSBE dhe më pas humbëm hapat derisa sot jemi vendi i fundit në integrim. Kishim mungesë të kulturës demokratike. Sot që flasim ne nuk kemi demokraci, jemi demokraci hibride, ne kemi mbetur peng i 5-6 emrave. Nuk ndërrojnë elitat. Mungesa e kulturës ka qenë e theksuar sepse kemi kaluar diktaturën më të ashpër. Ne nuk arritëm të adaptohemi.

Ne si njerëz çfarë na pengon për të ndryshuar realitetin?

Duke vendosur regjime të tilla demokrature regjimi mundohet t’i përshtasë kushtet. Të mban të varfër me qëllim që të na blejnë lehtë dhe kështu sigurojnë të ardhmen e tyre. Kjo është një spirale e cila vazhdon. Na duhet shkëputje por nuk e kemi. Të gjitha iniciativat e reja në këtë vend janë vrarë dhe janë vrarë me votë. Shoqëria nuk e ka pjekurinë për të kuptuar që modeli për ta çuar përpara shoqërinë nuk është individi është vizioni. Epokat ne i kemi ndarë me emra, epoka e Enver Hoxhës, epoka e Sali Berishës, epoka e Edi Ramës.

Si po shihet protesta e fundit, si është gjendja e protestuesve?

Të dëshpëruar për shkak të të gjitha situatave, nuk është adresuar asnjë problem i tyre dhe prandaj kanë dalë në shesh. Nëse qeveria do të bënte punën e vet të paktën qytetarët do të mendonin që dikush po mendon për ta. Ata janë të panikosur. Nis për një arsye jetike, nis për vajin, miellin, energjinë, bukën, naftën dhe ti po i dënon sepse ata çohen për jetën e tyre. Putin nuk ka vetëm Rusia, në Shqipëri kemi Putin të gjatë. Njerëz që reagojnë për jetën e tyre dhe ndalohen nga policia, kjo është e tmerrshme. Është vrarë shpirti i protestës. Këtë rradhë protesta ka një objekt fizik që e motivon, tabela e karburantit. Populli nëse sheh që çmimi ulet nuk del më në shesh.