Aktualitet

Rritja e çmimit të naftës, protestë në Tiranë!

Për sot, qytetarët në Tiranë do të mblidhen që të protestojnë për rritjen e çmimit të naftës. Në tubimin e thirrur nga shoqëria civile pritet të kundërshtohen 4 taksa që shkojnë në buxhetin e shtetit. Dje në daljen para mediave, kryeministri Rama theksoi se nuk do të hiqen taksat pasi po përpiqen të mbajnë të palëvizur çmimin e energjisë elektrike.

Pasi urdhëroi ndalimin e importit në Amerikë të naftës, gazit e qymyrit rus, presidenti Joe Biden shkruan: “Po ndalojmë të gjitha importet e naftës, gazit e të energjisë nga Rusia. Kjo do të thotë se po i japim një tjetër goditje të fuqishme Putinit”. Urdhëri i shefit të Shtëpisë së Bardhë ndalon gjithashtu investimet e reja amerikane direkte apo indirekte në sektorin energjetik të Moskës.

Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe refuzojnë Amerikën. Sipas shtypit amerikan, liderët e dy vendeve nuk pranuan një telefonatë me presidentin Biden. Kjo në kohën kur kreu i Shtëpisë së Bardhë po punonte për ndërtimin e një koalicioni ndërkombëtar, për të mbështetur Kievin dhe frenuar rritjen e çmimeve të naftës. Siç thekson Wall Street Journal, princi saudit Mohammed bin Salman e sheiku i Emirateve, Mohammed bin Zayed al Nahyan janë zhgënjyer nga mbështetja e dobët amerikane për luftën në Jemen e marrëveshjen e mundshme bërthamore me Iranin.

Rreth 5 mijë civilë u evakuan një ditë më parë nga Ukraina, falë korridorit humanitar të hapur në qytetin verilindor Sumy. I njëjti korridor aktivizohet edhe sot, në ditën e 14-të të agresionit rus në Ukrainë. Moska ka rënë dakord për një armëpushim të përkohshëm që mundëson evakuimet e civilëve.

Sipas Britanisë së Madhe, për momentin ka dështuar kapja e Kievit nga ushtria ruse, ndërsa sistemi i mbrojtjes ajrore ukrainase, ndonëse jo i pajisur me mjetet më të fundit moderne, po shënon suksese të rëndësishme kundër forcave të Rusisë.

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore ka humbur kontaktet me sistemin e kontrollit të centralit të Çernobilit në Ukrainë. Burime zyrtare konfirmojnë se sistemet e monitorimit në distancë të materialeve bërthamore pranë Çernobilit, nuk po transmetojnë më të dhëna duke u ndërprerë.