Aktualitet

Rritja e çmimit të qumështit, fermerët: Përfitojnë baxhot!

Rritja e çmimit të nënprodukteve të qumështit të deles dhe atij të dhisë, nuk është mirëpritur as nga blegtorët. Fermerët që mbarështojnë gjënë e gjallë thonë që për herë të parë një litër qumësht deleje po e shesin tek fabrikat e përpunimit 130 lekë e jo 160 sa pretendon Industria e Përpunimit të Qumështit.  Të mbash një stallë me bagëti, për fermerët po bëhet gjithnjë e më kushtueshme. Lufta në Ukrainë rriti kostot e prodhimit të qumështit, pasi konflikti që vijon prej rreth një viti solli shtrenjtimin e ushqimit blegtoral. Fermeri Suljeman Disha:

Djathi shitet 800-900 lekë kilogrami, kaq e shet baxhoja kurse qumështin e merr me çmim të ulët. Të paguan dengjent e barit, 600 lekë një deng e ta çosh tek bariu që merr në muaj 50 mijë lekë. Të paguash edhe dritat nuk del hesapi, por ne jemi mësuar, nuk kemi nga të shkojmë më. Qumështi po shitet 130 lekë litri. Çmimi këtë vit është rritur.

Në vendin tonë, numri i stallave të bagëtive është gjithnjë në rënie. Nazmi Çoku, nga fshati Gërmenj i Divjakës thotë se deri para disa vitesh zotëronte një stallë të madhe më bagëti, ndërsa sot të të imtat i numërohen me gishtat e dorës.

Kam patur mbi 100 krerë dele, dhi, lopë. Sot kam mbetur me 10 kokë. Blegtoria është gati e përgjysmuar në numrin e krerëve që kanë qenë. Kjo është fatkeqësi për vendin tonë. Para tri netësh isha në një baxho në Maliq dhe e merrnin qumështin në Serbi, Maqedoni të Veriut apo në Mal të Zi, sepse në vendin tonë nuk ka qumësht. Rinia ka ikur e gjitha, nuk ka se kush të mbajë blegtori.

Blegtoria është në tkurrje dhe fajin për këtë e ka Ministria e Bujqësisë, e cila ndër vite nuk ka mbështetur fermerin që mbarështon gjënë e gjallë në vendin tonë./Top Channel