Aktualitet

Rritja e pagës me 7%, pedagogët kundërshtojnë!

Ndërsa para Universitetit Politeknik të Tiranës, sot u zhvillua protesta e radhës e pedagogëve për rritje të pagave dhe kryeministri Rama foli sot për rritje me 7%, protestuesit e hodhën poshtë këtë rritje.

Ofertat me rritje page 7%, 10%, 20 apo 29% janë të pavlefshme. Nuk ka kompromis. Më datë 17 tetor, ditën e nisjes së vitit të ri akademik, do të mbajmë protestën e radhës.

Kërkesat e pedagogëve

-Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës
-Rritja e financimit për kërkimin shkencor
-Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmëri shëndeti në punë’
-Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë
-Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare
-Rivlerësimi i orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore.
-Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare
-Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.
-Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike.

Lidhur me protestën e sotme reagoi edhe kryedemokrati Berisha:

Sot organizuan një protestë të fuqishme për kërkesat më legjitime të tyre. I garantoj se PD qëndron në mbështetje të çdo kërkese që ata sot i drejtojnë një qeveria arrogante mashtruese dhe hajdute. Kërkesat e pedagogëve punonjësve dhe studentëve janë klithma të vërteta për të shpëtuar arsimin universitar në Shqipëri. Edi Rama u është përgjigjur me një qëndrim unik urrejtës dhe përçmues sindikatave të arsimit të lartë dhe kërkesave të tyre.

Premton 30% rritje rroge nga tarifat e studentëve. U thotë studentëve paguani ju tani për pedagogët. Në botë këtë nuk e bën askush. Ka qenë kjo në një kohë kur quhej vetadministrimi jugosllav. I bëj thirrje çdo pedagogu e studenti mos të përulet ndaj këtij ciniku mashtrues. I bëj thirrje qytetarëve të mbështesin pedagogët. Dënoj deklarata cinike të Ramës. PD do qendrojë fuqishëm në mbështetje të kërkesave të drejta të tyre.