Rajoni

Rritje drastike e rasteve me COVID në Kosovë!

100 infektime të reja me koronavirus në Kosovë në 24 orë ndërsa tre pacientë u shëruan. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, infektimet u konfirmuan pas 2.849 testimeve.

Burime zyrtare bëjnë të ditur se numri i rasteve aktive është 539 dhe shtimi i tyre i atribuohet pranisë së variantit Delta.

Kujtojmë se më herët gjatë javës që po lëmë pas, zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike njoftuan se rreth 90% e rasteve të infektimit me koronavirus janë të lidhura me Deltën. Ky variant i njohur si më ngjitës, sa vjen e po bëhet dominues në Kosovë.

Prej marsit të vitit të kaluar e deri më sot, Kosova ka regjistruar 108.465 raste me COVID-19. Për fat të keq, 2.266 persona nuk ia dolën të fitojnë betejën me sëmundjen dhe ndërruan jetë ndërsa 105.660 u shëruan duke e mposhtur virusin.