Aktualitet

Rritje pagash e arsim cilësor, protestë e pedagogëve para Kuvendit!

Për rritje pagash dhe arsim më cilësor, sot pedagogët zhvilluan një protestë para Kuvendit të Shqipërisë, që është mbledhur në seancë plenare. Duke folur për kërkesat, kreu i sindikatës së tyre, Sandër Kovaçi tha se kërkojnë rritje të buxhetit të arsimit të lartë në masën 1% të PBB-së, ku 0.3% të shkojë për kërkimin shkencor. Po ashtu, të vlerësohet puna e stafit akademik me një vlerësim financiar jo më të vogël se kolegët e tyre në Kosovë, ndërsa tarifat e studentëve shqiptarë të jenë jo më shumë se e të rinjve në Kosovë.

Kërkojmë rritje të buxhetit të arsimit të lartë në masën 1% të PBB, ku 0.3% të shkojë për kërkimin shkencor, të vlerësohet puna e stafit akademik me një vlerësim financiar jo më të vogël se kolegët e tyre në Kosovë, tarifat e studentëve shqiptarë të jenë jo më shumë se e të rinjve në Kosovë. Stafi ndihmës akademik e administrativ i universiteteve dhe pedagogët të përfshihen në rritjen e rrogave nga të e ardhurat dytësore si kontribues direkt në krijimin e këtyre të ardhurave.

Në duar mbanin pankarta me mbishkrimet: “Arsim cilësor, pagë dinjitoze”, “Stop mizerjes ekonomike të universiteteve”, “Pa financim s’ka zhvillim”, pedagogët kërkuan reagim nga qeveria dhe Ministria e Arsimit.

Viti i ri akademik, më 17 tetor, nisi me bojkotin e pedagogëve të universiteteve publike, të cilët paraqitën si kërkesë kryesore rritjen e pagave. Ndërkohë, pasi kërcënuan me grevë urie nëse merrnin garanci për jetën vendosën t’i riktheheshin auditoreve, duke ndërprerë bojkotin, por jo protestat.

SPUSH i është drejtuar Presidentit të Republikës, duke kërkuar garanci kushtetuese për paprekshmërinë e integritetit të pedagogëve vullnetarë, që do të hynin në grevën e urisë, grevë e cila nuk u frymëzua aspak nga dëshpërimi apo mungesa e shpresës së intelektualëve për plotësimin e kërkesave legjitime të tyre në ambientet universitare, por u stimulua nga domosdoshmëria imediate e plotësimit të tyre.

Përshkallëzimi i hapave të ndjekur nga punonjësit akademikë, ndihmës-akademikë dhe administrativë, erdhi si rrjedhojë e indiferentizmit dhe arrogancës së autoriteteve, që janë përgjegjëse, për situatën aktuale. E kemi fjalën si për Qeverinë dhe Ministrinë përkatëse, ashtu dhe për institucionet e arsimit të lartë publik.

Duke e parë me sy kritik dhe shqetësim atë që po ndodh brenda mjediseve akademike, bashkarisht konsideruam se mbështetja financiare e cunguar, është me ndikim, në cilësinë e shërbimit ndaj studentit, ndaj iu drejtuam Qeverisë, sepse pavarësisht autonomisë, ajo ka detyrimin për ta mbështetur dhe mundësuar cilësinë, që certifikon ky institucion. Për habinë e gjithkujt, Qeveria heshti?!  Heshtja institucionale provokoi protestat dhe bojkotin e procesit mësimor, çka ndikoi në sjelljen e saj në një përshkallëzim të formës së saj, me Ngujimin në Grevë Urie.

Mosbesimi ndaj institucioneve për shkak të intimidimit nga brenda dhe jashtë institucioneve të arsimit te lartë, në vijimësi, mbolli pasiguri qytetare dhe akademike, në realizimin e këtij akti sublim! Ndodhur përballë kësaj situate kritike, Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, e interesuar për normalizimin dhe zhvillimin e suksesshëm të jetës akademike vendosi:

Pezullimin e bojkotit dhe rinisjen e procesit mësimor, për të përmbushur detyrimin tonë akademik, atë të përçimit të dijes tek studentët.

Vazhdimin e protestës me të gjitha format demokratike dhe institucionale, përfshirë protestat kombëtare universitare periodike, deri në vlerësimin dhe zgjidhjen e kërkesave të parashtruara.

Të gjitha llojet e protestave, përfshirë grevat e çdo lloji, vazhdojnë të qëndrojnë si mundësi finale për realizimin e të gjitha kërkesave të Peticionit dhe më gjerë!