Health & Beauty

Rrjedhjet në tubacionet e gazit, rmetani mbulon Suedinë dhe Norvegjinë

Re të mëdha metani kanë mbuluar qiellin e Suedisë dhe Norvegjisë, pas rrjedhjeve të raportuara në dy gazsjellësit e Rusisë në detin Baltik. Mediat e këtyre dy vendeve raportojnë se bëhet fjalë për nivele rekord të ndotjes.

Sipas matjeve të Institutit Norvegjez për Cilësinë e Ajrit, bëhet fjalë për rreth 40 mijë tonelata metani të lëshuara nga ato që tashmë po konsiderohen akte sabotazhi në dëm të tubacioneve Nord Stream 1 dhe 2.

Emetimet e dëmshme janë dyfish më të larta se metani i lëshuar nga industria e naftës dhe gazit në Norvegji. Shkencëtarët thonë se retë e mëdha ndotëse nuk paraqesin rrezik për shëndetin e njerëzve, por vetëm për mjedisin.

Lidhur me shkaqet e rrjedhjeve në dy tubacionet e gazit, vijon shkëmbimi i akuzave dhe dyshimeve mes Rusisë dhe Perëndimit. Khashayar Farmanbar, ministër i Energjisë në Suedi, tha: “Ka shumë gjasa që të jetë kryer qëllimisht dhe jo në mënyrë aksidentale nga askush tjetër përveç një shteti, pa u zbuluar më parë”.

Kreu i Shërbimit Inteligjent të Jashtëm të Moskës tha se posedon materiale që tregojnë përfshirjen e Perëndimit në sabotazhin ndaj gazsjellësve Nord Stream, por pa dhënë detaje konkrete.

Kremlini kërkon hetim ndërkombëtar dhe flet për terrorizëm: “Një akt i tillë i paprecedentë, i cili mund të konsiderohet terrorizëm shtetëror, nuk mund dhe nuk duhet të kalojë pa një hetim serioz ndërkombëtar. Natyrisht, do të kërkojmë ndërveprim brenda kornizës së një hetimi të tillë”.

Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit, u shpreh: “Edhe Shtetet e Bashkuara kërkuan zhvillimin e një hetimi të plotë për shkaqet dhe autorët e akteve të sabotazhit në Nord Stream 1 dhe 2.

Sekretari i Mbrojtjes, Llojd Austin, tha se në këtë pikë ka shumë spekulime, prandaj duhet përcaktuar qartë se çfarë ka ndodhur përpara se dikush apo ndonjë shtet të bëhet përgjegjës”.