Art & Kulturë Çdo gjë është ashtu si duket

“Rrno vetëm për me tregue”, një vepër për të cilën ka nevojë ndërgjegjja jonë!

Jemi mësuar tashmë që të enjteve të shijojmë pasazhe nga libra të ndryshëm në Top Albania Radio. Këtë javë, Anna Shkreli sjell pasazh nga libri i At Zef Pllumit. Vepra “Rrno vetëm për me tregue” erdhi këtë herë në vëmendjen e “Çdo gjë është ashtu si duket“.

“Rrno vetëm për me tregue” është një libër i At Zef Pllumit i botuar në Tiranë në vitin 2001. Titulli në fjalë është vëllimi i tretë i “Rrno vetëm për me tregue”. Vëllimi i parë është botuar në vitin 1995, ndërsa vëllimi i dytë në vitin 1997. E gjithë vepra e plotë, e dalë në qarkullim në vitin 2015, është konsideruar “ndërgjegje e kohës”, pasi kleriku i lartë françeskan ka rrëfyer gjithë kalvarin gjatë kohës së komunizimit, në burgje dhe jashtë saj.

“Rrno vetëm për me tregue” është një vepër monumentale, tejet e çmueshme, me vlera shumështresore. Është letërsi dokumentare ku përshkruhet e keqja e shkaktuar nga komunizmi në Shqipëri. Vepra në fjalë, përshkruan jo vetëm vuajtjen e At Zef Pllumit, kalvarin  e Kishës Katolike, mundimet e françeskanëve, por edhe të gjithë popullit shqiptar. Gjatë leximit të kësaj vepre, lexuesi mund të bëjë një udhëtim brenda vuajtjes, mashtrimit, torturave çnjerëzore, vrasjeve, varfërisë, të keqes…

Vepra e At Zef Pllumit frymëzon lexuesin për lexime të reja dhe të përsëritura. Ky libër kujtimesh bën thirrje që të vërtetat të mos harrohen, që historia të mos deformohet, por të kuptohet e të shpjegohet. “Rrno vetëm për me tregue” është edhe kontribut në luftën  e një populli për demokracinë. At Zef Pllumi ka treguar dhe përshkruar jetën si dëshmi me pamje të ferrit, dëshmi e tij shkrimore e reales. Vetë Ismail Kadare e ka cilësuar këtë vepër me fjalët:

Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë, ata që kanë jetuar në atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që nuk e kanë jetuar. Kanë nevojë te shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët. Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë.