Aktualitet

Rruga Qukës-Qafë Plloçë, firmoset marrëveshja e financimit shtesë!

Në Tiranë u firmos marrëveshja për financimin e shtesës së huasë, për projektin e ndërtimit të rrugës Qukës-Qafë Plloçë. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj e  drejtori Ekzekutiv i Fondit Arab të Zhvillimit, Abdulrahman Al-Marshad, sigluan akordin. Kredia është me vlerë 49 milion dollarë, ndërsa më herët janë dhënë 25 milion për ndërtimin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë.

Marrëveshja shtesë që po nënshkruajmë sot synon plotësimin e financimit të nevojshëm për përfundimin  me sukses të këtij projekti me rëndësi të veçantë, që garanton rrugën më të shkurtër të ndërlidhjes mes kryeqytetit dhe zonave të juglindjes deri në kufi me Greqinë. Ky përmirësimin në infrastrukturë do të ndikojë në zhvillimin e bizneseve të kësaj zone e të turizmit. Marrëveshja përkon edhe me zhvillimin e sektorëve e objektivave strategjikë të vendit.

Finalizimi i këtij projekti synon përmirësimin e parametrave të infrastrukturës rrugore, që do të  bëjë të mundur lehtësimin e aksesimit të trafikut që kalon nëpërmjet korridorit të 8-të, nga aksi Tiranë-Elbasan në pjesën e krahinës juglindore dhe shkurton distancën me pikën kufitare të Kapshticës. Ne synojmë të nxisim turizmin në zonën juglindore dhe zhvillimin e bujqësisë duke rritur edhe punësimin.

Huaja shtesë do të mundësojë ndërtimin e rrugës me gjatësi 43.4 km me dy korsi. Kjo marrëveshje huaja ka terma lehtësuese edhe pse jemi në kulmin e krizës. Afati do të jetë 25 vite, norma interesit është 2% dhe për 5 vite nuk ka pagesë principali.

Drejtori Ekzekutiv i Fondit Arab te Zhvillimit, Abdulrahman Al-Marshad u shpreh se nga kjo marrëveshje përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë, do të ndikojë në përmirësimin ekonomik të zonës, por sipas tij edhe në reduktimin e vështirësive në transport.

Sot kam pasur kënaqësinë të nënshkruaj marrëveshjen e kredisë me një vlerë 49 milionë USD, si një kredi shtesë zhvillimi e dhënë nga Fondi. Marrëveshja synon të financojë pjesën e dytë të rrugës, ndërsa ky aks rrugor është i gjatë 34 km dhe synon t’i shërbejë mbi 600 mijë banorëve, të gjithë qyteteve dhe fshatrave nëpër të cilët kalon.

Segmenti prej 43 kilometrash i rrugës, Qukës Qafë-Plloçë është pjesë e korridorit rrugor Tiranë-Korçë dhe parashikon të ulë me 1 orë rrugën nga kryeqyteti për në juglindje.