Celebrities Live From Tirana

Rrugëtimi i Top Channel në 20 vite në sytë e ish-drejtoreshës së Programacionit, Vjollca Dedej!

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte e ftuar në studio ish-drejtoresha e programacionit në Top Channel, Vjollca Dedej. Duke qenë së sot është një ditë tepër e veçantë pasi Top Channel feston 20-vjetorin, Vjollca na tregon më shumë se si ka qenë lidhja e saj e parë me Top Channel…

Ngela papunë, më hoqën nga RTSH-ja dhe kërkoja punë. Sa kishte filluar atëherë Digitalbi, takova ish-drejtorin Alban Jahon dhe më tha dukesh shumë e kualifikuar për ne. Miqtë që kisha filluan të më thonin që prit se gjërat mund të ndryshojnë. Po prisja një përgjigje edhe pse kisha një projekt të mundshëm me Ambasadën Amerikane. Ka qenë fundi i gushtit, më thërret drejtori i asaj kohe Enkelejd Joti, më thotë kemi menduar që të fillosh si drejtoreshë programacioni. Më thonte gjithë kohës që ne jemi si familje dhe kjo pjesë nuk duhet të cënohet. Më thonin: ‘E mirë por natyrë e rëndë dhe mendova që nga natyra që kisha mund të cënoja unitetin e familjes’. Më mbeti vath në vesh. Për menaxhimin e lartë kam bërë kualifikim në Angli. Kam filluar punë më 1 shtator. I thash mund të vazhdoni kështu me këtë programacion deri në fund të vitit. Më lini 4 muaj kohë të të bëj programacion, strukturë dhe buxhetin afërsisht. Bëhet fjalë për vitin 2004. Kur unë kam filluar një pjesë e programeve kishin filluar. Gjëja që bëri të gjithë të kthenin kokën nga Top Channel ishte që solli programe të freskëta dhe rinore. Duke kërkuar audiencë tek të rinjtë, duke sjellur të rinjtë për të punuar, them që kjo e ndihmoi të ecte përpara.

Çfarë e bën një program të mirë dhe të shëndetshëm? Vjollca shprehet:

Një skenar, regji dhe komunikim i mirë. Të treja bashk po nuk ishin programi bie. Që të shkojë impakti te audienca nuk do të thotë që duhet të cënojë prodhimin. Ritmika e tij nuk ka lidhje me kontentin e një programi. Ritmika është thjesht një përceptim më i thjeshtë. Ti programin nuk e lën të bëj “bark”. 

Si ka funksionuar patenta ndërkombëtare e emisioneve?

Ideja ka qenë e themeluesit të Top Channel, Dritan Hoxhës. Dritani gjithë kohës ankohej që nuk merrte optimalen. Në Shqipëri ne nuk kemi një shkollë të mirëfilltë skenari dhe kjo ishte një problem. Mënyra se si këto programe do të ndërtoheshin nga struktura dramartugjike e cila është thelbësore. Ti mund të kesh një ide të mirë, por nëse nuk di ta hedhësh e ta ndërtosh siç duhet kjo humbet. Nisur nga kjo, Dritani thonte nuk kam krijues të mirëfilltë këtu, dua patentë. Dhe ne blemë Big Brother. Jemi të parët për të garantuar suksesin e një programi që ishte provuar në kanale të tjera dhe ti merrje një produkt të shëndetshëm. Më pas do i adresoheshe kompanisë që mbante formatin, bëje negociatat dhe ata sjellin konsulentët e vetë. Top Channel në prodhimet që ka bërë mbështetur në formate i ka pasur të jashtëzakonshme. Është përpjekur për t’ju përgjigjur çdo elementi për të qenë në standarde ndërkombëtare.

Çfarë ka Vjollca për të na thënë në lidhje me programin e njohur “The Voice” e cila ndër të tjera është programi i saj i preferuar?

Kur vendosëm të merrnim “The Voice” që sapo ishte prodhuar në Holandë, ishte format i jashtëzakonshëm, një gjetje për të sjellë talentet e reja. Vendosëm që do e blinim. Vendimi u mor nga maji, filluam kontaktet. Autor i këtij formati ishte John de Mol, pronar i Endemol-it dhe ishte urdhër prej tij që transmetimi të fillonte 6 muaj pas firmosjes së kontratës. Ne ishim akoma qershor, akoma nuk kishim firmosur dhe duhet t’i mbushnim mendjen. Konkurrenca kishte marrë një format po me talente dhe pika jonë e fortë ishte që ne jemi bashkë kundrejt një konkurrence të përbashkët dhe po nuk e futëm në shtator humbasim audiencën. Luftuam, flisja përdit me atë vajzën, i thoja duhet ta bëjmë këtë dhe ata dërguan konsulentin kur u bë episodi i parë. U punua fort, dyshimet mund të na çonin dhe në gjyq nëse e nisnim transmetimin më herët. John de Mol dha leje që “The Voice” të transmetohej para kontrates sepse i bindëm që prodhimi ynë ishte jashtëzakonisht i mirë. Kur ata e shisnin, na merrnin ne si shembull, na merrnin leje që a mund ta përdorim rastin tuaj për vëndet e tjera më të vogla. Jam kujdesur që “The Voice” të prodhohet sa më mirë.

Në përgjithësi, sipas Vjollcës çfarë i mungon sot televizioneve?

Audienca është shumë e rendësishme sepse do të thote prurje parash. Nivelet e programeve në një përqindje kanë rënë në atë që hajde të tërheqim audiencën. Ka një gjë gabim, nuk shkon televizioni tek audienca por audienca tek televizioni. Televizioni duhet ta tërheqi audiencën me prodhimet e saj. Do të kesh prodhime për të gjitha nivelet por duke mbajtur në një përqindje të madhe programe kundrejt një audience mediokre që kënaqen me një gjë të vogël, emocionet vijnë nga gjëra që ti thua emocionohet njeriu nga kaq. Ky është problemi kryesor. E dyta televizionet janë kthyer në radio me figurë, janë të ngopura me show në studio. Fusin 5 veta bërtasin, qeshin dhe njerëzit vijnë. Televizioni është dritare. Po nuk solle atë që është matanë studios çfarë ke sjellur? Nuk je më televizion. Shoh që dominojnë studiot në televizione.