Bota

Rumani, hapja e një llogarie të rreme në rrjete sociale vepër penale

Gjykata e Lartë e Rumanisë vendosi se përbën vepër penale rasti kur një person hap e përdor një llogari në një rrjet social në emër të një personi tjetër dhe ku informacionet, fotot apo imazhet video postohen pa pëlqimin e këtij të fundit.

Kjo gjykatë u vu në lëvizje nga ajo e Apelit e Brasovit që të lëshonte një vendim paraprak për të zgjidhur një çështje ligjore, pikërisht atë të një personi, i cili u dënua në shkallën e parë me 3 vjet e 8 muaj burg për shantazh, falsifikim kompjuteri dhe shkelje të  privatësisë. Ai krijoi një profil të rremë me emrin e ish-partneres ku postoi foto intime dhe ua dërgoi një pale të tretë.

Për rastin e  sipërpërmendur sipas Gjykatës së Lartë kemi të bëjmë me një krim. “Nëse akti i hapjes dhe përdorimit të një llogarie arrin kushtet tipike të krimit të falsifikimit, të parashikuara nga neni 325 i Kodit Penal, atëherë kjo përbën vepër penale”, tha Gjykata e Lartë rumune.