Aleatët e kryeopozitarit të Kremlinit, Aleksei Navalny, i burgosur dhe në grevë urie, iu bënë thirrje rusëve të manifestojnë më 21 prill për të shpëtuar jetën e Navalny-t, për të cilin raportohet se po përballet me probleme të rënda shëndetësore.
Në një mesazh thuhet:
Nuk ka më kohë, është koha për të reaguar! Nuk bëhet fjalë vetëm për lirinë e Navalny-t, por për jetën e tij!.
Protesta e vendosur për në orën 19:00 të mërkurën, organizohet në të njëjtën ditë me fjalimin e përvitshëm të presidentit Vladimir Putin para dy dhomave të Parlamentit, gjatë të cilit ai do të përmendë objektivat për zhvillimin e Rusisë dhe zgjedhjet e ardhshme legjislative në vjeshtë.
Shërbimi i Burgjeve në Rusi bëri të ditur sot se Aleksei Navalny do të transferohet në spitalin e burgut ku vuan dënimin. Pavarësisht shqetësimeve dhe alarmit të dhënë se kreu i opozitës rrezikon jetën për shkak të problemeve shëndetësore, autoritetet pohojnë të kundërtën dhe e përshkruajnë si “të kënaqshme”.
Prej rreth tre javësh, Navalny ka hyrë në grevë urie pasi nuk lejohet të takojë mjekët që e ndjekin. Kritiku i fortë i presidentit Vladimir Putin u burgos në muajin shkurt i akuzuar “Për përvetësim fondesh”, por i ka hedhur poshtë, si “të motivuara politikisht”.
Shtetet e Bashkuara e paralajmëruan Moskën se do të ketë pasoja nëse lideri i opozitës, Aleksei Navalny vdes në burg. Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan:
Rusia do të mbahet përgjegjëse nga komuniteti ndërkombëtar!
Edhe Mbretëria e Bashkuar e Bashkimi Europian shprehën shqetësime për trajtimin e tij. Mjekët e Navalny-t paralajmërojnë se brenda pak ditëve ai rrezikon të ndërrojë jetë nëse nuk merr trajtim mjekësor urgjent për dhimbjen akute të shpinës dhe mpirjen e këmbëve.