Bota

Rusët përforcojnë praninë në Bjellorusi/Tjetër inkursion në Ukrainë?!

Imazhet e reja satelitore po tregojnë se mijëra trupa ruse mund të jenë kthyer në Bjellorusi, duke ngritur pyetje nëse një tjetër inkursion në Ukrainë nga veriu është i pashmangshëm apo nëse Moska, me ndihmën e Minskut, thjesht po përpiqet të shpërqendrojë Kievin. Mark Cancian, analist ushtarak në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me qendër në Uashington, vlerëson:

Rusët nuk kanë fuqi të mjaftueshme luftarake për të nisur një ofensivë nga Bjellorusia e nuk ka pika jetike ukrainase aty pranë.

Forcat ruse pësuan humbje të konsiderueshme që nga shtatori kur Ukraina nisi një kundërofensivë që vazhdon në Donbas në lindje, si dhe në Kherson në jug të vendit.

Ndoshta, rusët duan të shpërqendrojnë ukrainasit e të tërheqin disa nga forcat e tyre nga Khersoni dhe Donbasi.

Kampet me tenda

Imazhet e fundit satelitore të kapura nga kompania tregtare “Planet Lab”, tregojnë se muajin e kaluar, Rusia ngriti më shumë se 300 tenda në tre lokacione, për të strehuar përkohësisht ushtarë në terrene stërvitore në Bjellorusi.

Ato përfshijnë të paktën 190 tenda në Obuz-Liasnouski në Bjellorusinë perëndimore, ku stërviten forcat tokësore; 35 në Repishça në Bjellorusinë qendrore, ku stërviten forcat e artilerisë dhe 80 në Lasvida jashtë Minskut, ku stërviten forcat ajrore. Shumica e tendave duket se janë me përmasa 12 me 7 metra dhe secila preh tyre mban me lehtësi 24 deri në 25 ushtarë. Kjo nënkupton që një maksimum prej 7 mijë e 500 trupash mund të vendoset në të gjitha tendat.

Ende nuk dihet nëse do të ngrihen më shumë tenda apo sa ushtarë rusë kanë zbarkuar në ndërtesat dhe strukturat para-ekzistuese pranë terreneve stërvitore. Nuk ka asnjë shpjegim publik nga Rusia për qëllimin e kampeve e as për numrin e trupave që planifikon të vendosë në Bjellorusi. Një muaj më parë, lideri bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, tha se “trupat ruse do të jenë në Bjellorusi”, por shtoi se “kjo po bëhet për qëllime mbrojtëse”, duke pohuar pa prova se “Ukraina po planifikon një sulm”.