Bota

Rusia godet autokolonën me refugjatë, 25 të vrarë në Zaporizhia!

Të paktën 25 persona raportohen të vdekur si pasojë e një sulmi me raketë që goditi një autokolonë humanitare në rajonin e Zaporizhias, në Ukrainë.

Ngjarja ndodhi pranë një tregu automjetesh, që shërbente si pikë grumbullimi për makinat që marrin njerëz për nga zonat e pushtuara ruse.

“Skuadrat e shpëtimit po punojnë në vendngjarje. Janë angazhuar 10 automjete dhe 50 anëtarë personeli që po evakuojnë të lënduarit dhe po largojnë trupat e pajetë. Edhe policia po analizon vendin e kriimit. Krahas kësaj, është angazhuar edhe Kryqi i Kuq. 240 makina ishin pjesë e autokolonës, që sapo do të nisej kur u sulmua”, tha Yulia Barysheva, zëdhënëse e Shërbimeve të Emergjencës, Ukrainë.

Zyra e presidentit ukrainas deklaroi se 4 nga 16 raketat e tipit “S-300” që Rusia qëlloi ranë në tregun e automjeteve, si dhe në një zonë tjetër ku ishin mbledhur civilë. Nga ana e tij, Kremlini nuk e ka komentuar incidentin.