Bota

Rusia intensifikon sulmet kundër objektivave civile në Ukrainë!

Konflikti në Ukrainë ka hyrë në ditën e 207-të. Mediat amerikane shkruajnë se presidenti ukrainas Zelensky po i bën presion homologut amerikan Biden për ta furnizuar me raketa me rreze mbi 305 km, të afta për të arritur deri në Rusi.

Siç raporton New York Times, Zelensky i siguron amerikanët se nuk do të godasë qytete ruse dhe as të shënjestrojë civilë. Por, shefi i Shtëpisë së Bardhë e kundërshton këtë kërkesë. Bashkëpunëtorëve të tij, Biden iu tha se “duhet të shmangin Luftën e Tretë Botërore”.

Po ashtu, Kievi kërkon edhe armatime të reja nga vendet e Bashkimit Europian për të ndihmuar njerëzit në territoret e pushtuara nga rusët.

Kemi nevoja urgjente për t’i çliruar dhe t’iu shpëtojmë jetën.

Ndërkohë, shërbimet britanike të Inteligjencës tregojnë se “Rusia ka rritur sulmet kundër objektivave civile, për të demoralizuar popullin ukrainas”. Intensifikimi i tyre nga ana e Moskës vjen pas humbjeve të pësuara në kundërofensivën e Ukrainës. Në raportin më të fundit të shërbimeve sekrete të Ministrisë britanike të Mbrojtjes, thuhet:

Ndaj zhvillimeve të javës së fundit, Rusia reagoi duke rritur numrin e sulmeve me raketa kundër infrastrukturave civile, edhe pse nuk kanë peshë e ndikim ushtarak.

Ndërkaq, Lituania propozon dërgimin e tankeve pasi konstaton se nuk mjafton vetëm të dënosh. Pas zbulimit të një varri masiv edhe në Izjum, ministri i Punëve të Jashtme, Gabrielius Landsbergis, shkruan në Twitter:

Fjalët nuk arritën të parandalonin varret masive. Vetëm dënimi, nuk do të arrijë t’i japë fund këtij genocidi. Tanket flasin më shumë se fjalët, ta armatosim tani Ukrainën!

Më herët ishte Estonia që theksoi rëndësinë e ndihmës. Përveç Kremlinit, të gjithë e pranojnë se Rusia po përballet me vështirësi për të mbushur radhët, teksa pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në muajin e shtatë. Sipas vlerësimeve perëndimore, Rusisë i janë vrarë 25 mijë ushtarë dhe ende nuk ka arritur të përmbushë asnjë nga objektivat e saj. Në vend të mobilizimit të përgjithshëm, kryesisht Moska po varet nga ushtarët me kontratë që po i rekruton në rajonet e largëta e të varfra.