Bota

Rusia kryen sulme masive me dronë në kryeqytetin ukrainas Kiev!

Forcat ruse kanë shënjestruar kryeqytetin Kievin, me një valë të madhe të sulmeve ajrore mëngjesin e sotëm, referuar zyrtarëve ukrainas që këtë sulm e përshkruajnë si “më të madhin” me dronë ndaj këtij qyteti, që nga nisja e luftës së Moskës në Ukrainë, më 24 shkurt të vitit të kaluar.

Sulmet ajrore vijnë në kohën kur shënohet Dita e Kievit, apo 1.541-vjetori i themelimit të qytetit, kremtime që përkojnë me të dielën e fundit të muajit maj.

Sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës kanë rrëzuar të paktën 40 dronë, ndërsa bëhet e ditur se rrëzimi i tyre ka vrarë të paktën një person dhe plagosur dy të tjerë.

Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të Kievit, deklaroi se Rusia ka përdorur dronët e prodhimit iranian, Shahed për të kryer sulmet në Kiev, që është dhe qyteti më i populluar në Ukrainë me rreth 3 milion banorë. Jo pa ironi, në një mesazh në Telegram, Popko shkruan:

Sot armiku vendosi “të uronte” popullin e Kievit për Ditën e Kievit, me ndihmën e dronëve të tij vdekjeprurës. Sulmi u krye përmes disa valëve dhe sirenat e alarmit zgjatën mbi pesë orë.

Pjesët e dronëve të shkatërruar nga mbrojtja ajrore ukrainase ranë mbi një depo trekatëshe, duke shkaktuar zjarr dhe u shkatërruan mbi 1 mijë metër katrorë të kësaj ndërtese, siç tha kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko.

Zjarre janë shkaktuar në disa qarqe të Kievit duke sjellë dhe një sërë dëmesh materiale. Rusia ka intensifikuar sulmet me raketa e dronë në Ukrainë, duke shënjestruar ndërtesa ushtarake e linja të furnizimeve.

Në sulmet e fundit, Moska ka përdorur dronët e ashtuquajtur kamikazë, por edhe raketa me rreze të gjatë veprimi e po ashtu raketa balistike. Sulmet e fundit vijnë në kohën kur po pritet që të nisë kundërofensiva ukrainase, që synon të largojë nga territori ukrainas forcat ruse, të cilat nisën pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.