Bota

Rusia: “Mosnjohja e Lukashenkos si presidenti i Bjellorusisë shkel ligjin ndërkombëtar”

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se vendimi i Bashkimit Evropian dhe disa vendeve të tjera evropiane për mosnjohjen e legjitimitetit të presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko, “është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”. Në një deklaratë për mediat, Peskov, vlerësoi vendimin e BE-së dhe të disa vendeve evropiane për të mos njohur legjitimitetin e Alexander Lukashenko i cili filloi detyrën duke u betuar më 23 shtator.

“Këto vendime janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Këto vendime, nuk kontribuojnë kategorikisht në zhvillimin e dialogut. Vendet në fjalë do të ngadalësojnë dhe do të vështirësojnë dialogun me Bjellorusinë. Në të vërtetë, këto janë ndërhyrje indirekte në punët e brendshme të Bjellorusisë”, tha Peskov duke bërë të ditur se “nuk i mirëpresin” vendime të tilla.

Kjo nuk do të ndikojë në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Bjellorusisë, tha Peskov, duke shtuar se “Bjellorusia dhe Rusia janë vende sovrane që formojnë marrëdhëniet e tyre të pavarura prej vendeve të tjera”. Alexandër Lukashenko që prej vitit 1994 është zgjedhur president 5 herë njëra pas tjetrës dhe në zgjedhjet e mbajtura më 9 gusht u deklarua që ai fitoi sërish me 80,1%, ndërsa kundërshtarja e tij Svetlana Tikhanovskaya mundi të marrë 10,12%.