Dëgjo live TOP ALBANIA RADIO
Dëgjo live TOP GOLD RADIO
Dëgjo live MY MUSIC RADIO
Voto në THE TOP LIST
Bota

Rusia, një shekull nën “pushtetin” e shërbimit sekret. Roli i KGB-së dhe femrave sexy ruse!

Shërbimi sekret më i frikshëm i botës, KGB-­ja sovjetike ka qenë e njohur në të kaluarën e saj me shumë emra, por fillimet i ka në Revolucionin Bolshevik të 1917­. Më 20 dhjetor 1917 themelohet ÇEKA, forca e parë sovjetike e policisë sekrete; ÇEKA (akronim rusisht për komitetin e emergjencës) u krijua me një dekret të lëshuar nga Vladimir Lenin dhe u drejtua më pas nga Feliks Xherzhinsky, aristokrat renegat, i kthyer komunist.

Në fund të vitit 1918, qindra komitete ÇEKA ishin krijuar në qytete të ndryshme. Në vite, mijëra disidentë, dezertorë, apo njerëz të tjerë u arrestuan, torturuan, ekzekutuan nga çekistët. Pas vitit 1922, ÇEKA pësoi një seri riorganizimesh e ndryshime emrash. Trupat çekiste ishin përgjigjese për kampet e punës; menaxhimin e sistemit Gulag; miratonin listat me emrat e kundërshtarëve politikë; kryenin arrestime, hetime, tortura, ekzekutime dhe shtypje të çdo pakënaqësie a rebelimi të mundshëm. ÇEKA u bë gjithashtu model i organizimit të armës së sigurimit të shtetit në vendet e bllokut komunist. Me vdekjen e Xherzhinsky-t në 1926, organizata u përhap me shpejtësi për të mbajtur dhe riforcuar pushtetin e Josif Stalinit, diktatorit sovjetik. Deri dhe në kolektivizimin e BRSS ndërhyri kjo organizatë, me pasoja të tmerrshme në miliona rusë që e kundërshtonin. Ata u ekzekutuan nga skuadrat vrasëse të OGPU­së.

Në 1934, emri i organizatës ndryshoi përsëri, kësaj radhe në NKVD (Komisariati i Popullit për Punët e Brendshme, 1934­1946), i drejtuar nga Jenrik Jagoda, njeri i zgjedhur nga vetë Stalini. Nën udhëheqjen e Jagodës, NKVD mori një kontroll total të industrisë, profesioneve të ndryshme, punëtorëve, kooperativistëve, të gjitha mjeteve të informacionit publik dhe forcave të policisë. Me një fjalë, kontrollonte jetën e çdo gjëje të gjallë në Rusinë Sovjetike. Jagoda ishte bërë figura më e frikshme në Bashkimin Sovjetik pas Stalinit, i fuqishëm dhe i frikshëm. Ai ekzekutoi të gjithë ata që Stalini donte t’i eliminonte, derisa një ditë Stalini paranojak që shihte kudo “armiq të popullit” dhe “agjentë të imperialistëve” e akuzoi për veprimtari subversive dhe e ekzekutoi. Yagoda u vra faktikisht në zyrë. U mbyt nga duart e zëvendësit të tij, Nikollai Jezhov, i cili ishte po aq barbar sa Jagoda. Jezhovi ka qenë i njohur historikisht dhe më nofkën “Xhuxhi i Përgjakshëm”. Por si gjithë limonat që pasi shtrydhen, hidhen në koshin e plehrave edhe Jezhovi u ekzekutua më urdhër të Stalinit në 1938.

Atëherë, në krye të NKVD-së erdhi një njeri shumë i afërt më Stalinin, Lavrenti Beria, i cili qëndroi në krye të NKVD deri pas vdekjes së Stalinit. Gjatë kohës së Berias, NKVD u quajt MVD (Ministria e Punëve të Brendshme, 1946­1954) dhe një vit pas vdekjes së Stalinit u quajt në KGB. Zyrat qendrore të KGB janë të njohura dhe si Qendra e përveç të tjerave kanë nën drejtim dhe GRU-në (Drejtorinë Qendrore të Zbulimit të Ushtrisë se Kuqe), që merrej më zbulimin e kundërzbulimin ushtarak. Të gjitha këto ishin nën mbikëqyrjen e KGB-­së. KGB-ja ishte e plotfuqishme dhe operacionet e saj ishin pa kufizime ligjore e rregulla. Drejtoheshin dhe kundër popullit rus e kundër “armiqve të jashtëm”. Dega më e frikshme dhe më e fuqishme e KGB-së ishte SMERSH, seksion i armatosur i veçantë i KGB-së që merrej më dënimet dhe ekzekutimet e çdo rusi të cilësuar “tradhtar”, të çdo informatori apo agjenti që dezertonte në Perëndim, të çdo komunisti që nuk ndiqte vijën e Partisë, si dhe shkaktoi një numër të madh viktimash jashtë Rusisë (sovjetikë ose qytetarë të shteteve të tjera). Loja e preferuar e KGB-së ishte futja në kurthin e saj të diplomatëve të huaj e në shumicën e rasteve bëhej nëpërmjet seksit.

Në këtë mënyrë, KGB-ja komprometoi ambasadorin britanik në Moskë, Sir Geoffrey Harrison në 1968. Ambasadori u dashurua pas një gruaje të bukur ruse që punonte si shërbëtore në ambasadën britanike, e quajtur Galia. Ajo ishte sigurisht e futur me mision aty nga KGB-­ja. Pasi çifti mbaroi punë në një apartament të Leningradit, Harrisonit iu treguan foto të tij më Galian duke bërë seks. Harrisonit iu komunikua se nëse nuk i jepte KGB-­së informacionet që kërkonte, fotot dhe lidhja e tij më Galian do të bëheshin publike.

Në vend që të bashkëpunonte, Harrisoni u kthye në Londër ku pohoi lidhjen në Galian te oficeret e MI5 (Kundërzbulimi britanik). Ai u nxorr në pension menjëherë. Megjithëse ky lloj kurthi kësaj radhe dështoi, shumë kurthe përpara Harrisonit ishin të suksesshëm. Një sukses i tillë ishte komprometimi i ambasadorit francez në Moskë, Moris Dezhan. Çifti Dezhan arriti në Moskë nga Parisi në 1955, i gatshëm për të bërë miq sovjetikë në rangje të larta. Ata u pritën nga shumë persona që thonin se ishin udhëheqës sovjetikë, por në të vërtetë ishin oficerë të KGB-­së ose spiunë të saj. Një prej tyre ishte dhe gjeneral lejtnant Oleg Mihailoviç Gribanov, i cili u paraqit te çifti, me emrin Gorbunov. Dezhani i tha në konfidencë Gribanov/Gorbunovit se i pëlqenin femrat e pashme dhe pas kësaj në hapat e ambasadorit, “rastësisht” rreshtoheshin femra të pashme, të gatshme të flirtonin më të. Këto gra, quheshin “Thithëse” nga bosat e KGB-së dhe ambasadorit i ofroheshin nga agjenti i KGB-­së Juri Vasilevic Krotkov. Krotkovi e njohu Dezhanin me disa aktore filmi ruse, njëra prej të cilave quhej “Lora”. Kur Dezhani ishte duke bërë dashuri më të, bashkëshorti i saj imagjinar ia behu në dhomë duke i kapur flagrancë dhe e kërcënoi Dezhanin se do ta çonte në gjyq publik, një skenar i vjetër i KGB-së. Më vonë atë natë, Dezhani nervoz përsëri në konfidencë i tha shqetësimin e tij Gribanov/Gorbunovit i cili ngrohtësisht e garantoi se do të përdorte ndikimin e tij që të qetësonte “bashkëshortin e nxehur”.

Ai e informoi Dezhanin pas pak ditësh se çështja e tij ishte vënë në vijë dhe se ambasadori nuk duhej të shqetësohej më. Mirënjohës, Dezhani filloi më hir ose me pahir të jepte informacion tek Gribanovi. Loja e KGB-­së për ketë çështje, nuk ndaloi me kaq. Ai u përpoq të fuste në kurth dhe gruan e ambasadorit, por pa sukses. Meqë dështoi tek znj.Dezhan, komprometoi një diplomat tjetër francez me një nga agjentet seksi të KGB-­së. Koloneli Lui Gibo, atasheu ajror francez, sidoqoftë nuk bashkëpunoi me KGB. Në vend që të jepte informacion e të fshihte lidhjen, vrau veten. Agjenti Krotkov më vonë, në 1963 vizitoi Londrën si shoqërues i disa shkrimtarëve sovjetikë. Me marifet, dezertoi dhe u dorëzua te anglezët ku tha se dezertimi i tij ndodhi nga brejtja e ndërgjegjes për çështjen Gibo. Në të njëjtin vit, Gribanov u informua se një spiun i KGB­ ishte kapur në Nju Jork, SHBA. Të dëshpëruar për të pasur një spiun amerikan që ta shkëmbenin më atë sovjetik, bosat e KGB-­së e urdhëruan Gribanovin të gjente një agjent amerikan me porosi. Atë që oficerët mundën të gjenin ishte një mësues amerikan, Frederik Bargun, profesor i universitetit të Jeillit, i cili ndodhej si turist në Moskë. Agjentët e KGB-­së i thanë Gribanovit se fatkeqësisht profesori nuk ishte spiun. “Bëjeni spiun”, – u bërtiti Gribanovi. Barguni u arrestua, por më vonë doli se ishte mik personal i presidentit Kenedi, i cili i dërgoi notë proteste Hrushovit. I turpëruar dhe zemëruar, Hrushovi iu kanos Gribanovit dhe e urdhëroi ta lironte menjëherë profesorin. Diplomatët, të cilët KGB­-ja nuk mund t’i komprometonte seksualisht për t’i dhënë informacion, ishin subjekt survejimi të vazhdueshëm, brenda dhe jashtë ambasadës, duke i ndjekur këmba-­këmbës në çdo hap që bënin dhe duke i survejuar në ambasada me aparatura të sofistikuara, të cilat ishin fshehur më kujdes në ambasadat e huaja.

Në 1975, Ambasada Amerikane në Moskë ishte në krye të listës për përgjime nga ana e sovjetikëve. Mikrofonat ishin të një sistemi të sofistikuar dhe drejtoheshin duke i komanduar nga jashtë ambasadës, me rreze të larta të intensifikuara, nëpërmjet dritareve të ambasadës. Duke shënuar me këto rreze vazhdimisht, dyshohet që teknikët e KGB-­së, pa dashje infektuan me helmim radiologjik ambasadorin amerikan Uolltër Stosel. Stosel u kthye në Uashington ku u shërua nga overdoza e radiacionit, kushte në të cilat jetonin shumica e diplomatëve në BRSS, ngaqë masat dhe kundërmasat e KGB-­së për aparaturat e përgjimit sa vinin e bëheshin më të sofistikuara. Një nga arsyet për të damkosur amerikanët si spiunë ishte për të treguar se spiunazhi kundër Revolucionit Sovjetik vazhdonte dhe revolucioni ishte në rrezik të vazhdueshëm. Ishin apo jo spiunë, kjo nuk kishte rëndësi, ata damkoseshin vetëm për terror. Një rast i tillë ishte dhe çështja e Martha Pitersen, e cila ishte pjesë e trupit diplomatik amerikan.

Agjentët e KGB-së raportuan se kishin gjetur mesazhe sekretë të drejtuara asaj në një kuti postare të vdekur (Kuti postare e vdekur në gjuhën e spiunazhit quheshin vendet e fshehta ku agjentët shkëmbenin mesazhet e tyre të shkruara. Këto mund të ishin banjo publike në një restorant të caktuar, një vrimë në një pemë në një park, etj. Në këtë mënyrë, shmangej komprometimi dhe kapja nga kundërshtaret). Pitersen u dëbua nga Bashkimi Sovjetik. Të njëjtin fat pati dhe Richard Ozborn, sekretari i ambasadës amerikane për çështjet ekonomike. KGB-­ja lajmëroi se Ozborni u arrestua në maj 1983, duke thënë se u kap në flagrancë, duke transmetuar mesazhe nga një radio tek një satelit komunikacionesh “Marisat”. Kur ambasada kërkoi prova të mesazheve ose kopje të tyre për të provuar fajësinë e Ozbornit, KGB tha se shënimet e Ozbornit i kishte shkatërruar, duke i tretur në ujë. Ozborni, e shoqja dhe dy fëmijët u dëbuan nga Bashkimi Sovjetik.

Shumë nga funksionarët e KGB-së që kishin urdhëruar kompromentimin e diplomatëve dhe arrestimet e tyre ishin fare pak të sofistikuar në krahasim me ata që zhvilluan teknologjinë e spiunazhit të KGB-­së. Në të shumtën e rasteve ishin vrasës brutalë dhe arrogantë që kishin bërë vrasje dhe ekzekutime për llogari të Stalinit, si në kohë të Revolucionit, ashtu edhe më pas. Duke mos pasur më vlerë për të, ata që i kishin shpëtuar shpatës se tij, ishin ngujuar në zyra në KGB. I tillë ishte për shembull dhe Boris Nikolaevic Ponomarev, i cili ka qenë funksionar i KGB-së që në ditët kur ajo quhej ÇEKA. Ishte ky që organizoi tradhëtimin dhe arrestimin e presidentit çekosllovak Aleksandër Dubcek në Pragë, në 1968. Ponomarev ka qenë drejtues i departamentit ndërkombëtar të KGB-­së, departament që më vonë kaloi në duart e Juri Andropovit. I ngjashëm më Ponimarevin ka qenë dhe Sergei Kruglov, një nga vrasësit më të besuar të Stalinit dhe dikur anëtari i SMERSH-it. Kruglovi ka qenë në Rojën e Kuqe gjatë Revolucionit. Ai u ngrit në gradën e kolonelit dhe ishte komandant i Gardës së Kremlinit. Nga 1920 deri në 1930, Kruglovi ka qenë i njohur si “këmbëza” e Stalinit, duke ekzekutuar çdo njeri që zgjidhte Stalini. Ai ishte një nga anëtarët e ÇEKA-s që i mbijetoi 5 shefave të saj, madje thuhet sikur i ka vrarë me dorën e tij Jagodën e Jezhovin, me urdhëra të Stalinit, si dhe thuhet se ka shkaktuar vdekjet misterioze të tre shefave të tjerë të KGB-së.

Dihet nga të gjithë se Kruglovi qëlloi dhe vrau personalisht Marshallin Mihail Nikolajeviç Tuhacevski, shefin e përgjithshëm të shtabit të Ushtrisë së Kuqe, pjesë e komplotit stalinian për spastrimet në ushtri në 1937. Për këtë shërbim, Kruglovi u be gjeneral “nderi” dhe zv/komisar i Punëve të Brendshme. Ai ka pasur dorë në të gjitha operacionet kryesore të SMERSH-­it, si dhe në vrasjen e Trockit, njërit prej liderëve të Revolucionit, që Stalini e urrente pa masë, sa askush tjetër në botë. Kruglovi ishte kaq njeri i besuar i Stalinit, saqë gjatë Luftës se Dytë Botërore, u urdhërua nga Stalini të merrej më çështjet e sigurimit në konferencat e Jaltës, Teheranit dhe Potsdamit. Për këtë veprim, Kruglovi u dekorua edhe nga fuqitë perëndimore. Ai mori “Urdhrin e Legjionit të Meritës” nga qeveria e SHBA dhe një titull kalorësiak nga Perandoria Britanike. Pas vdekjes se Stalinit, Kruglovi u bë ministër i Brendshëm, ministri e cila në atë kohë kombinonte më Ministrinë e Sigurimit Shtetëror. Bosi i KGB-­së, Lavrenti Beria, një nga shokët e Kruglovit, e mbështeti atë hapur fillimisht, por duke mos pasur besim tek vrasësi i vjetër, sugjeroi që Kruglovi kishte mbledhur shumë pushtet rreth vetes. Në prill 1954, Komiteti për Sigurimin e Shtetit u shkëput nga ministria e Kruglovit dhe u vu nën komandën e gjeneralit Ivan Serov, më vonë drejtor i KGB-­së. Kështu, Kruglovi u hoq nga rruga e Berias për pushtet. Ai u nxorr në 1956 në pension dhe u venit nga skena politike ngadalë.

Agjentët e KGB-së kanë qenë nga spiunët më të trajnuar në botë. Megjithëse midis tyre ka një numër të madh dezertorësh në Perëndim, ata kanë arritur të penetrojnë në mënyrë fantastike që në vitin 1925 në administratat dhe shërbimet sekrete të shumë shteteve si: SHBA (në administratën e Rusveltit), shërbimet sekrete angleze gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, në administratën dhe te diplomatët e Gjermanisë naziste e më pas të Gjermanisë Perëndimore, partitë politike komuniste ose jo në SHBA, Evropën Perëndimore, etj, administratën dhe shërbimet sekrete franceze etj, kanë mundur të rekrutojnë si agjentë të tyre gazetarë, avokatë të dëgjuar në perëndim, personalitete botërore, etj. Deri dhe në lojërat ndërkombëtare të shahut të zhvilluara midis lojtarëve sovjetikë dhe atyre rusë të arratisur në perëndim ka ndërhyrë KGB-ja më hipnotizuesit e saj. Nëpërmjet agjentëve dhe informatorëve të tyre, KGB-­ja vodhi nga amerikanët komplet planet dhe sekretet e prodhimit të bombës atomike që në vitet 1943-44. Në vitet e Luftës së Ftohtë, agjentët e KGB-së janë përgjegjës për vjedhjen dhe marrjen e teknologjisë perëndimore në shkallë a të lartë, sa që të arrinte këtë teknologji, shteti sovjetik duhej të shpenzonte miliona orë pune e njerëz dhe miliarda rubla, në fushën e kërkim-­eksperimentimit.

Pas Ushtrisë Sovjetike, KGB-­ja ka pasur gjithmonë buxhetin më të madh, që llogaritej në miliarda dollarë çdo vit, për të mbajtur stafin e saj burokratik, më dhjetëra mijëra agjentë operativë dhe teknikë të panumërt, për t’i mbështetur me teknologji e aparatura. Një nga shefat e CIA-­s, Xhon Mekwhon i raportonte Kongresit Amerikan në 1982 se KGB-­ja shpenzonte çdo vit 3 deri në 4 miliard dollarë për të krijuar dizinformacion, propagandë dhe falsifikime (monedhash dhe dokumentesh). Një nga këto falsifikime ishin dhe letrat fallco midis presidentit amerikan Ronald Regan dhe mbretit Huan Karlos të Spanjës, në të cilat Regani ishte kundër pranimit të Spanjës në NATO, fabrikim i KGB-së. Tjetër fabrikim dhe propagandë e KGB-së ka qenë përhapja e dizinformacionit sikur CIA ishte ajo që kishte vrarë presidentin Kenedi dhe më pas në vitet ‘70-­80, sikur CIA kishte fabrikuar e përhapur virusin e SIDA-­s. Një nga gazetat që përhapnin dhe shkruanin të tilla lajme ka qenë e përditshmja italiane “Paese Sera”, e cila ka marrë me miliona dollarë nga KGB-­ja, gjatë viteve 1975-1986, për të paraqitur dizinformatat dhe propagandën e zezë të saj.

Një tjetër viktimë e KGB­-së ka qenë dhe lideri rus Boris Jeltsin, i cili u gjet i dehur dhe i lagur në një nga bodrumet e një stacioni të policisë në Moskë nga ndihmësit e tij në 1990-ën. Jeltsin tha: “KGB-ja kërkoi të më vinte poshtë”. Çuditërisht, Jeltsin do t’ia kalonte disa vite më vonë, presidencën e Federatës Ruse, njërit prej shefave të KGB­-së, pikërisht presidentit aktual rus Vladimir Putin, i cili vazhdon ta udhëheqë edhe sot ndërsa për ministër të Jashtëm e Kryeministër do të caktonte një tjetër ish-shef të KGB­së, Jevgjeni Primakov.