Bota

Rusia pretendon se e ka penguar ofensivën ukrainase në Donjeck!

Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se ka penguar një ofensivë masive ukrainase në Donjeck. Sipas Moskës zyrtare u vranë 250 trupa ushtarake të Ukrainës dhe u shkatërruan 16 tanke e armë. Në një video të publikuar nga Rusia shihen luftime, me shumë pajisje luftarake të përfshira nga flakët. Kievi ende nuk e ka komentuar këtë pretendim, që nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur. Për kundërofensivën ukrainase flitet shumë muajt e fundit dhe Kievi ka thënë se nuk do të japë paralajmërim për nisjen e saj.

Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se Ukraina e ka nisur “ofensivën e shkallës së gjerë” në rajonin e Donjeckut, duke përdorur gjashtë batalione të mekanizuara e dy batalione tankesh. Moska pretendon se ukrainasit kanë tentuar të depërtojnë në mbrojtjen ruse, por se “nuk patën sukses”.

Ukraina është duke u përgatitur prej disa muajsh për kundërofensivën, por ka kërkuar sa më shumë kohë që mundet për të trajnuar ushtarët e për të marrë ndihmën e ofruar nga aleatët perëndimorë.

Zyrtarët në Kiev paralajmëruan kundër spekulimeve publike për ofensivën, duke thënë se diçka e tillë do të ndihmojë armikun.

Planet duan qetësi, nuk do të ketë njoftim për nisje.

Rëndësia e kundërofensivës është e madhe, pasi qeveria në Kiev duhet t’i dëshmojë popullit të Ukrainës, si dhe Perëndimit që mund t’i thyejë linjat ruse e t’i rikthejë territoret e pushtuara.

Ndërkohë, luftëtarët që kundërshtojnë qeverinë në Moskë thanë se kanë kapur disa ushtarë rusë në Belgorod, pranë kufirit me Ukrainën. Ky pretendim u bë nga Legjioni i Lirisë së Rusisë, bashkë me Trupat Vullnetare ruse. Të dyja grupet kërkojnë rrëzimin e presidentit Vladimir Putin nga pushteti. Ata e kundërshtojnë luftën e nisur në Ukrainë, në shkurt të vitit të kaluar.

Presidenti Putin e quan luftën “operacion special ushtarak”, për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë humbur jetën mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.