Bota

Rusia publikon reklamën që u bën thirrje civilëve t’i bashkohen ushtrisë!

Në Rusi ka nisur të transmetohet masivisht një reklamë që nxit qytetarët t’i bashkohen ushtrisë. Spoti nxitës po transmetohet në një kohë kur forcat e armatosura ruse po pësojnë humbje të konsiderueshme dhe nuk po ia dalin të bëjnë progres në Ukrainë pas më shumë se një viti nga pushtimi. Videoja u publikua nga Ministria e Mbrojtjes së Moskës ndërsa rusëve u bëhet thirrje që t’i lënë punët e tyre si civilë dhe t’i bashkohen ushtrisë.

Në video shfaqet një rojë supermarketi, një instruktor palestre dhe një shofer taksie, të gjithë të zhgënjyer nga jeta civile dhe më pas gjejnë gëzim dhe një qëllim për të ndjekur pasi i bashkohen ushtrisë. Po ashtu, qytetarëve u premtohet një rrogë mujore prej të paktën 204,000 rublash, një shumë katër herë më e lartë se paga mesatare në Rusi.

Sipas dokumenteve të kalsifikuara të amerikanëve që u publikuan së fundmi, Pentagoni vlerëson se humbjet mes rusëve janë diku mes 189,500 dhe 223,000 viktima, me 35,500-43,000 burra të vrarë në aksion. Rikujtojmë, se Kremlini deklaroi ditën e djeshme se nuk është duke u planifikuar një mobilizim i ri për luftën në Ukrainë, ndërsa nga Rusia shtohen raportimet se studentëve po u dërgohen njoftime për të shkuar në front. Sulmet ruse në Ukrainë e që vazhdojnë prej muajit shkurt të vitit të kaluar janë bllokuar në betejën në lindje të territorit ukrainas.