Bota

Rusia raporton për sulm masiv me dronë në një bazë ajrore!

Inkursioni i befasishëm i Ukrainës në Rusi nuk jep shenja se po zmbrapset. Mediat shtetërore dhe zyrtarët vendas sot raportuan për shpërthimin e një zjarri në një bazë ushtarake e mbi një sulm “masiv” me dronë brenda Rusisë, duke detyruar evakuimin e banorëve në disa pjesë të rajonit perëndimor  Lipetsk.

Operacioni në rajonin e Kurskut të Rusisë është përshkruar si sulmi më i madh në tokën ruse që kur presidenti Vladimir Putin nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Për këtë operacion ka shumë paqartësi.

Zyrtarët ukrainas ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht zhvillimin e tij. Por, presidenti Volodymyr Zelensky tha mbrëmë se Rusia duhet të “ndiejë” pasojat e pushtimit të nisur ndaj shtetit fqinj.

Rusia e solli luftën në tokën tonë dhe duhet ta ndiejë se çfarë ka bërë.

Më herët sot, mediat zyrtare ruse, përfshirë TASS-in, raportuan për një zjarr në një bazë ajrore në rajonin Lipetsk, që gjendet në perëndim të Kurskut, vendit ku po vazhdon inkursioni. Në raportimet e mediave ruse nuk është përmendur shkaku i shpërthimit të zjarrit.

Këto raportime u bënë disa orë pasi guvernatori rajonal, Igor Artamonov, shkroi në rrjetet sociale se Lipetsku “është bërë subjekt i një sulmi masiv me dronë”. Më vonë, ai shtoi se është dëmtuar infrastruktura e energjisë dhe gjashtë persona mbetën të plagosur.

Fillimisht, Artamonov iu bëri thirrje banorëve të injorojnë thirrjet për evakuim, që u publikuan në rrjetet sociale duke thënë se këto thirrje “po shpërndahen nga armiku, në mënyrë që të krijohet panik”. Por, disa orë më vonë ai tha se ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në qarkun e Lipetskut dhe se banorët në katër vendbanime në periferi të qytetit të Lipetskut janë urdhëruar të evakuohen.

Guvernatori i Stevastopolit, qytetit në Gadishullin ukrainas të Krimesë të pushtuar nga Rusia, Mikhail Razvozhayev shkroi në Telegram se forcat ruse kanë shkatërruar dronë në afërsi të qytetit. Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi se në total, 75 dronë të Ukrainës u shkatërruan mbi Rusi gjatë natës, shumica e tyre mbi rajonet e Belgorodit e të Lipetskut. Autoritetet ukrainase nuk kanë raportuar për ndonjë sulm ajror në Lipetsk.