Sport

Sa besim kanë shqiptarët te braziliani Sylvinho në krye të Kombëtares?!

Sylvinho u prezantua si trajneri i ri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit vetëm një javë më parë. 48-vjeçari brazilian, i cili luajti e fitoi trofe me skuadra si Barcelona dhe Arsenali ka firmosur një kontratë 18-mujore me FSHF-në. Në konferencën për shtyp, ish-mbrojtësi i majtë zbuloi pse zgjodhi Shqipërinë dhe tregoi objektivat e tij në krye të kuqezinjve.

Doja t’ju falënderoja që jeni këtu! Jam i kënaqur. Puna e një trajneri është e vështirë, kurrë e thjeshtë. Duhet të bëjmë zgjedhje, herë fiton e herë jo. Falënderoj Rejën për punën e bërë, si edhe këta futbollistë për zemrën dhe pasionin. Kemi dëshirë të sjellim rezultate pozitive për të dërguar kombëtaren në pozicionin e duhur. Këtë pashë kur takova presidentin për herë të parë. Edhe ai pa te ne urinë e dëshirën për të bërë mirë, për t’i dhënë vazhdimësi projektit. Të gjithë flasin për zgjedhjet e trajnerit apo pozicionin e tij. FSHF më bindi të merrja përsipër këtë punë. Jemi të kënaqur, besoj se do të bëjmë një punë të mirë.

Pikërisht lidhur me këtë zgjedhje votuesit e Top Albania Radio-s, kanë votuar se sa dakord janë dhe sa ndryshime presin nga ky vendim. Të pyetur nëse besojnë se Sylvinho në krye të Kombëtares do të arrijë objektivin e shpallur, ata kanë votuar si më poshtë.

Po 44%

Jo 38%

Nuk e di 19%