Fashion

Sa do të paguanit për të pasur këtë çantë pazari nga Balenciaga?!

Marka luksoze e modës, Balenciaga, ka nxjerrë së fundmi në shitje një çantë pazari dhe njerëzit në mediat sociale e kthyen në një temë diskutimi dhe gallate. Çanta e re e koleksionit quhet “Barbes Large East-West Shopper Bag”, e cila është krahasuar me qese plastike të përdorura në tregjet në të gjithë botën për të  transportuar fruta dhe perime.

Marka e njohur me bazë në Paris, e themeluar fillimisht në Spanjë, e publikoi çantën në faqen e saj të internetit për një çmim prej plot 2,090 dollarë. Balenciaga e përshkruan këtë produkt si një çantë pazari me printe kuadratash, të bërë në Itali me lëkurë viçi 100%, të stampuar me logon e shtëpisë së modës në pjesën e përparme.

Fotografitë e çantës kanë qarkulluar më së shumti në Twitter ndërsa përdoruesit kanë filluar të bëjnë ironi me të, duke vënë në dukje se është shumë e ngjashme me çantat që i gjen rëndom në treg dhe që janë shumë herë më të lira. Madje të tilla çante mund t’i gjejmë edhe në shumicën e shtëpive tona. Disa nga komentet që qarkulluan ishin:

Do ta njoftoj dadon time se ishte 30 vjet përpara modës.

Dikush tjetër thotë:

Kjo duket tamam si çanta që gjyshja ime përdorte për të marrë ushqimin tonë kur shkonte në plazh.

Shumë prej tyre vunë në dukje se çanta të tilla mund t’i gjesh me 1 dollar në dyqanet e lagjeve.  Kjo nuk është hera e parë që Balenciaga tallet nga përdoruesit e rrjeteve sociale për krijimet e saj dhe çmimet e kripura që ajo vendos.

Rikujtojmë se, së fundmi, Balenciaga ka nxjerrë në treg një bluzë me një çmim paksa të pazakontë. Kjo bluzë, e cila kushton mbi 1350 paund, është e thurur dhe e tëra me vrima. Duhet thënë se ky model ka çuditur shumë njerëz. Aktualisht kjo prurje e re e markës famshme të modës është shitur plotësisht në Mbretërinë e Bashkuar. Materiali përbëhet nga 100% poliestër dhe ka të “grisura” në shumicën e saj.