Fashion Lifestyle

Sa pritet t’i kushtojë industrisë së modës moti ekstrem që ka pushtuar globin…

Nxehtësia ekstreme që pushtoi globin këtë verë dhe përmbytjet që po vërshojnë aktualisht në shumë shtete të botës do t’i japin një goditje masive industrisë së modës. Sipas një studimi nga Universiteti Cornell dhe menaxheri i investimeve Schroders katër nga vendet më të mëdha prodhuese të veshjeve në botë rrezikojnë të humbasin 65 miliardë dollarë fitime deri në vitin 2030. Bangladeshi, Pakistani, Vietnami dhe Kamboxhia shihen të jenë veçanërisht në rrezik.

Studiuesit bënë me dije se markat e modës në këto vende duhet të sigurojnë kushtet optimale ndaj punonjësve, t’u sigurohen mjaftueshëm orë pushimi, në mënyrë që t’i bëjnë ballë kushteve atmosferike dhe ndryshimeve të tyre. Qendrat kryesore të prodhimit të veshjeve duke përfshirë Dhaka, Phnom Penh, Karaçi, Lahore, Ho Chi Minh City dhe Hanoi po përballen tashmë me nxehtësinë dhe lagështinë ekstreme. Studiuesit u shprehën se:

Të gjitha këto qytete ka të ngjarë të përjetojnë përmbytje të konsiderueshme.

Pra të dyja ekstremet e motit kanë të njëjtin ndikim negativ. Përshembull stresi i nxehtësisë që mund të përjetojnë punonjësit shkakton ndryshime të konsiderueshme në produktivitetin e tyre. Sipas raportit prodhimi mund të bjerë me 1.5% për çdo rritje prej 1 gradë Celsius. Autorët e studimit u kanë kërkuar bizneseve dhe rregullatorëve që të mbrojnë punëtorët duke i trajtuar ngjarjet ekstreme të motit si rreziqe serioze për shëndetin, duke i siguruar pushimet me pagesë dhe të drejtën për të pezulluar punën.