Aktualitet

Saimir Tahiri do të vuajë dënimin në burgun e Fierit!

Më 4 shkurt, Apeli i Posaçëm i GJKKO-së e dënoi me 3.4 vite burg “Për shpërdorim detyre”, Saimir Tahiri do ta vuajë dënimin në burgun e Fierit. Për zhvendosjen e ish-ministrit të Brendshëm nga paraburgimi i 313-ës në Tiranë ku fundjavën e kaluar u dërgua me pranga, e mori sot Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Tashmë, pritet rekursi i Tahirit në Gjykatën e Lartë.

Në të parin proces nga drejtësia e reformuar ndaj një ish-zyrtari të lartë, Saimir Tahiri u dënua të premten e kaluar me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe iu rrëzuan akuzat për trafik droge në kuadër të dosjes Habilaj. Pas dhënies së vendimit, akuza firmosi urdhër-arrestin.

Për Tahirin, një proces gjyqësor 5-vjeçar përfundoi më 4 shkurt me të njëjtin dënim, për të njëjtën akuzë, por tanimë si i burgosur dhe pa konvertim në shërbim prove. Tashmë pritet rekursi në Gjykatën e Lartë. Ligji parashikon që të bëhet brenda 45 ditëve duke nisur nga ajo e dhënies së vendimit. Atij vendimi që për ish-ministrin “është thjesht padrejtësi”.

Moralisht jam i qetë! Nuk kam shkelur ligjin, kam bërë detyrën si më mirë çmunda!

E ndërsa kryeministri Edi Rama u përmbajt të shtunën nga komentet për një vendim të dhënë nga gjykata, kryedemokrati Lulzim Basha e quajti “dëshmi për vërtetësinë e akuzave të Partisë Demokratike lidhur me përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm, Tahiri në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike”.

Në vjeshtë të vitit 2017, vetëm 6 muaj pas fitores së mandatit të dytë qeverisës nga socialistët, shpërthyen akuzat për trafik droge kundër Tahirit. Organet e atëhershme të Drejtësisë në Shqipëri u vunë në dijeni nga Prokuroria e Katanias se në përgjimet e bisedave të trafikantëve të drogës, anëtarë të një organizate kriminale shqiptare që vepronte edhe në Itali, u përmend edhe emri i ish-ministrit Tahiri. Në Tiranë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij.