Aktualitet Politikë

Saimir Tahiri rinis betejën me drejtësinë/ Në 20 dhjetor zhvillohet seanca e parë në GJKKO ndaj ish-ministrit

Dosja hetimore ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, do të nisë të rishqyrtohet më 20 dhjetor të këtij viti. Seanca e parë është planifikuar në orën 09:00.

Trupi gjykues do të jetë i përbërë nga kryesuese Daniela Shirka dhe gjyqtari Engert Pëllumbi, por anëtari i tretë pritet të zgjidhet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor pas dorëheqjes së dy gjyqtarëve.

Kujtojmë se ish-ministri Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit.

Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm.

Në shtator 2019, Tahiri u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal, por u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Vendimi i shkallës së parë u prish nga Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila e riktheu çështjen për rishqyrtim.

Njoftimi i plotë:

Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, për çështjen në ngarkim të të pandehurve S.T. dhe J.Ç., e regjistruar pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më datë 24.11.2021, me nr. 47 regjistri themeltar, është planifikuar seanca gjyqësore në datë 20.12.2021, ora 09:00.

Fillimisht nga shorti ka rezultuar se çështjen do ta kryesonte gjyqtarja Miliana Muça dhe anëtare gjyqtaret Daniela Shirka dhe Ilirjana Olldashi.

Duke qenë se gjyqtarja Miliana Muça paraqiti aktin e heqjes dorë nga çështja, heqje dorë e cila u miratua nga zëvendëskryetari i gjykatës, çështja u rishortua, duke përcaktuar trupin gjykues të përbërë nga kryesuese Daniela Shirka, anëtare Ilirjana Olldashi.

Me vendimin nr. 565, datë 02.12.2021 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, në përbërje të trupit gjykues u caktua anëtari tjetër, gjyqtari Engert Pëllumbi. Gjithashtu, gjyqtarja Ilirjana Olldashi paraqiti aktin e heqjes dorë nga çështja, heqje dorë e cila u miratua nga zëvendëskryetari i gjykatës. Në këto kushte, anëtari i tretë pritet të delegohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.