Sport

Salah paralajmëron largimin nga Liverpuli

Sezoni i tetë tek Liverpuli, duket se do të jetë edhe i fundit për Mohamed Salah.

Pas fitores ndaj Mançester Junajtid, egjiptiani ka lajmëruar se nuk do të ketë rinovim të kontratës me të “të kuqtë’. Salah, që në klasiken e së dielës shënoi golin e tretë dhe vulosi triumfin e skuadrës, ka folur hapur mbi gjasat e qëndrimit në “Anfild:   “Kam kaluar një verë të mirë dhe kam pasur shumë kohë për veten time, duke u përpjekur të qëndroj pozitiv, sepse siç e dini është viti im i fundit në klub. Unë thjesht dua ta shijoj atë dhe nuk dua të mendoj për këtë temë. Ndihem sikur jam i lirë të luaj futboll, pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë vitin e ardhshëm. Askush në klub nuk më ka folur për rinovimin. Nuk është në dorën time, por të klubit”.

Salah foli edhe mbi triumfin në “Old Traford”, sipas tij Liverpuli mund ta kishte fituar ndeshjen edhe me thellë. “Mendoj se ndeshjen mund ta kishim fituar pesë apo gjashtë me zero. Erdha në këtë stadium sikur të ishte ndeshja ime e fundit këtu. Është një fitore e madhe për trajnerin e ri”, – ka shtuar Salah. Egjiptiani ka luajtur deri tani 352 ndeshje dhe ka shënuar 214 gola me fanelën e Liverpul.

Fitorja me Mançester Junajtid e ngjiti skuadrën në vendin e dytë të renditjes, në kuotën e 9 pikëve, aq sa ka edhe Mançester Siti kryesues. “Të kuqtë” e kanë nisur vrullshëm nën drejtimin e trajnerit Arne Slot. Holandezi u bë tekniku i parë që fiton tre ndeshjet e tij të para në Premier Ligë, pa pësuar asnjë gol, që prej vitit 2007, kur i ndjeri Sven-Goran Erikson, bënte të njëjtën gjë me Mançester Sitin.