Aktualitet

Salianji për Tahirin, “Dëshmi e Shqipërisë parajsë droge!”

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji deklaroi sot se “dënimi i ministrit të Brendshëm më të vlerësuar e më të përkëdhelur të Edi Ramës, është prova e plotë dhe e madhe se Shqipëria nën qeverisjen e Rilindjes u kthye në parajsën e drogës”.

Në një deklaratë për mediat, Salianji theksoi:

Nën drejtimin e Tahirit dhe me bekimin e Edi Ramës, skenari i kanabizimit u bë një realitet i frikshëm duke mbledhur rreth këtij procesi bandat e krimit të organizuar. E kemi denoncuar me mijëra herë kanabizimin e Shqipërisë, lidhjet e Ramës me krimin, përdorimin e kriminelëve për të grumbulluar vota dhe më pas dorëzimin e sovranitetit të shtetit në duart e bandave dhe krimit të organizuar.

Depërtimi i bandave deri në strukturat më të larta të shtetit, abuzimi me pushtetin, dhunimi dhe grabitja e qytetarëve është fakt dhe paralajmëron që dënimi i Tahirit është vetëm fillimi, nisja e rrugëtimit të ndëshkimit të abuzuesve me pushtetin. Ai është dhe duhet të jetë i pari në një listë të gjatë të drejtuesve të Rilindjes.

Deputeti Salianji shtoi:

Koha i dha të drejtë Partisë Demokratike. Shpallja fajtor e ministrit të Ramës dhe zbardhja e lidhjeve të tij me bandat e krimit të organizuar të trafikut të drogës, janë prova se PD kishte të drejtë në denoncimet e saj. Nëse do të ishin dëgjuar në kohën e duhur, sot Shqipëria nuk do ishte në këtë situatë kriminale dhe paratë e drogës nuk do ishin investuar për blerjen e zgjedhjeve e në ndërtim.

Beteja jonë pakompromis në shërbim të interesit publik provoi se Edi Rama është i korruptuar. Ne do ta vazhdojmë këtë betejë! Qeveria e tij është e korruptuar. Me këta në krye, Shqipëria nuk mund të ketë zhvillim. Shqiptarët duhet ta braktisin të shkuarën dhe të korruptuarit!

Një ditë më parë, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u dënua me 3.4 vite burg nga Gjykata e Posaçme e Apelit dhe u dërgua në paraburgimin e “313”-ës në Tiranë.