Bota

Samiti i G20-ës në Indonezi, Rusia përgatitet për konfrontim me Perëndimin!

“Perëndimi po militarizon” Azinë Juglindore, në përpjekje për të penguar interesat ruse dhe kineze”. Akuza vjen nga ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, i cili foli në prag të samitit të G20-ës që mbahet në Bali të Indonezisë, duke krijuar terren për konfrontim mes Moskës e liderëve perëndimorë. Lavrov do të kryesojë delegacionin e Rusisë, në të parin samit që nga koha kur Moska pushtoi Ukrainën, më 24 shkurt të këtij viti. Për shkak të axhendës, Kremlini konfirmoi se presidenti Vladimir Putin, nuk mund të merrte pjesë.

Ukraina është tema kryesore e takimit në Bali e gjasat janë që pjesëmarrësit të shtyjnë Kinën e Indinë, që kanë shprehur shqetësime mbi luftën, të kritikojnë veprimet e Moskës. Duke folur në përmbyllje të samitit të Shoqatës së Shteteve të Azisë Juglindore (ASEAN) në Kamboxhia, Lavrov kritikoi Shtetet e Bashkuara për veprimet në rajon, të cilin si Rusia, ashtu edhe Perëndimi e shohin si një fushëbetejë strategjike gjeopolitike në dekadat e ardhshme.

Amerika dhe aleatët e saj në NATO po tentojnë ta zotërojnë këtë hapësirë. Strategjia e Indo-Paqësorit e presidentit amerikan, Joe Biden, ishte një përpjekje për të shmangur “strukturat gjithëpërfshirëse” për bashkëpunim rajonal e do të përfshinte “militarizimin e këtij rajoni, me synimin e dukshëm të frenimit të interesave të Kinës dhe Rusisë në Azi-Paqësor.

Ndërkohë, Biden u tha liderëve të Azisë Juglindore se “Uashingtoni është i përkushtuar të ndërtojë një Indo-Paqësor të lirë e të hapur, të qëndrueshëm e në prosperitet, të fortë e të sigurt”. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Rusia nuk janë anëtare të ASEAN-it, një grup prej dhjetë anëtarësh të shteteve të Azisë Juglindore. Por, disa liderë botërorë morën pjesë në samitin e këtij grupi, para se të shkojnë në Bali për samitin e G20-ës.

Rusia ka kërkuar të krijojë lidhje më të ngushta ekonomike, politike e të sigurisë me shtetet në Azi, pasi Perëndimi goditi Moskën me sanksione të paprecedentë në kundërpërgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës. Rusinë dhe Kinën, Putin i portretizon si lidere globale të rebelimit kundër dominimit botëror post-sovjetik të SHBA-ve e Perëndimit. Nga ana tjetër, te Kina dhe Rusia, Amerika sheh dy prej kërcënimeve kryesore botërore.