Aktualitet

Samiti i Pragës, Rama: Komuniteti Politik Europian, ide e rilindur në kohë krizash!

“Samiti inaugurues i Komunitetit Politik Europian në Pragë të Çekisë, tregon unitetin e kontinentit europian, që po përballet me pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë”. Kështu deklaroi presidenti i Francës, Emmanuel Macron, njëherazi ideator i kësaj bashkësie.

Në radhë të parë, synimi është të ndajmë pikëpamjet për situatën që po prek Europën, por po ashtu, për të ndërtuar një strategji të përbashkët.

Në Pragë janë ftuar drejtuesit e 44 shteteve europiane. Ftesë nuk kanë marrë Rusia e Bjellorusia. Më herët gjatë ditës, shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell deklaroi se “takimi dërgon sinjal të qartë për izolimin e Rusisë”, shtet që ka nisur një luftë të paprovokuar ndaj Ukrainës.

Kryeministri Edi Rama, tha se idea e “Komunitetit Politik Europian është e hershme, që po rilind në kohë krizash”.

Shpresoj të mos kemi nevojë për kriza, për të pasur sërish takime. Shpresoj të shfrytëzojmë këtë takim e të vazhdojmë të ndërtojmë diçka të rëndësishme për komunitetin e madh europian.

Kosova po përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani, e cila tha se “në platformën e re, të gjithë përfaqësohen në mënyrë të barabartë dhe është vendi për të sjellë ide, për të tejkaluar sfidat e përbashkëta”.

Ajo me të cilën po përballemi është sfidë e madhe, por jam shumë e bindur se nëse qëndrojmë të bashkuar do të jemi në gjendje të tregojmë sukses.

Në takimin e Pragës, Serbia është i vetmi shtet që ka perspektivë të qartë për anëtarësim në BE dhe që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Zyrtarët europianë të përfshirë në organizimin e samitit, konfirmuan se presin që ky takim të jetë një mundësi ku Beogradit zyrtar t’i kërkohet sërish të respektojë politikën europiane të sanksioneve kundër Rusisë.

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç deklaroi:

Nuk kam frikë nga ata që kërcënojnë Serbinë për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Përgjigjja ndaj liderëve europianë do të jetë e denjë, e përgjegjshme, serioze dhe e gjerë.

Ishte Macron, i cili pati dhënë idenë e krijimit të një Komuniteti Politik Europian, në muajin maj të këtij viti. Ai dhe zyrtarë të shteteve që e mbështesin nismën, thonë se “nuk duhet të shihet si zëvendësim i procesit të zgjerimit të BE-së”. Platforma ka për qëllim të lehtësojë shkëmbimet mes shteteve të Unionit e atyre që janë jashtë Bllokut, përfshirë vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE.