Bota

Samiti i radhës i G7-ës, me sytë nga Azia, Afrika e Amerika e Jugut!

Në samitin e G7-ës në Bavari, kancelari gjerman, Olaf Scholz do të bëjë thirrje për forcimin e bashkëpunimit mes demokracive në mbarë botën. Duke folur për takimin e datave 26 deri më 28 qershor e ndërsa Gjermania mban presidencën e radhës së G7-ës, Scholz u shpreh:

Do të shënohej sukses i rëndësishëm, nëse samiti do të ishte pika fillestare për të parë botën demokratike në një këndvështrim të ri. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Italia dhe Japonia, duhet të shihen vetëm si pikënisje. Demokracitë e mëdha e të fuqishme të së ardhmes janë në Azi, Afrikë e në Amerikën e Jugut dhe do të jenë partnerët tanë.

Ne duhet të shikojmë të gjithë globin dhe jo vetëm të kemi një pamje të ngushtë të Europës, Amerikës së Veriut e Japonisë. Bota do të ketë edhe më shumë qendra fuqie në 30 vjet se sot.

Nëse arrijmë të sigurojmë që kjo botë të funksionojë së bashku dhe demokracitë të luajnë rol qendror do të jetë një hap i madh përpara!

Në një tjetër zhvillim, kancelari gjerman i kërkon Rusisë të zbusë krizën globale ushqimore, duke ndihmuar në lehtësimin e dërgesave të grurit nga portet e bllokuara të Ukrainës. “Duhet të shpresoni për hir të botës, që të arrihet një marrëveshje”, – tha Scholz, referuar negociatave në vazhdim për krijimin e një korridori eksporti përtej Detit të Zi.

Rusia duhet të mundësojë kalimin e sigurt dhe në të njëjtën kohë të japë garanci të besueshme, se nuk do ta përdorë korridorin për një pushtim. Nuk mund të ndodhë që anijet që transportojnë grurë, të largohen nga portet ukrainase dhe luftanijet ruse, të nisen drejt porteve.

Edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky kritikon Rusinë duke e akuzuar se po shkakton krizë ushqimore në zonat e Afrikës dhe Azisë, me vendimin për të ndaluar eksportet e grurit, për shkak të një bllokade detare.