Aktualitet Rajoni

Samiti i Tiranës ku Vuçiç kërcënoi me mospjesëmarrje, Kosova përfaqësohet me presidenten Osmani!

Presidentja Vjosa Osmani do të përfaqësojë Kosovën në samitin mes Bashkimit Europian dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor. Zyra e presidentes së Kosovës deklaroi:

Gjatë një takimi në Prishtinë, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Sznunyog i dorëzoi Osmanit kopjen fizike të ftesës nga presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel. Në takim u vlerësua fakti që për herë të parë, ky samit do të mbahet pikërisht në Ballkanin Perëndimor, duke konfirmuar gatishmërinë e vendeve të Bashkimit Europian për një angazhim më të madh drejt bashkëpunimit dhe partneritetit me vendet e rajonit.

Samiti i të martës së ardhshme në Tiranë do të jetë i pari mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që zhvillohet në territorin e një vendi të rajonit që nuk është pjesë e Unionit. Në këtë takim, udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Europian pritet të zotohen për mbështetje e gjithashtu përshpejtim të procesit të zgjerimit të BE-së, me përfaqësues të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, nga vendet e rajonit, ata pritet të kërkojnë që të dëshmojnë përkushtimin e tyre ndaj vlerave të përbashkëta. Presidenti serb, Vuçiç kërcënoi me mospjesëmarrje.

Këto porosi do të jenë pjesë e së ashtuquajturës “Deklaratë e Tiranës”, draftin e së cilës e ka siguruar Radio Evropa e Lirë.

Draft-deklarata mirëpret edhe zbatimin e marrëveshjes për heqjen e romingut për telefoninë mobile në nivel rajonal, ndërsa kërkon që të reduktohen edhe tarifat e romingut mes BE-së e vendeve të Ballkanit Perëndimor në vitin 2023, me synimin që ato të hiqen tërësisht më vonë.

Ndër të tjera, teksti përmban edhe përkushtimin ndaj sektorit të energjisë, infrastrukturës digjitale, infrastrukturës dhe projekteve të mbrojtjes së mjedisit. Ky samit vjen në kohën kur lufta e Rusisë në Ukrainë e nisur në fund të muajit shkurt ka sjellë ndryshime të mëdha në rendin ndërkombëtar. Për pasojat e këtij konflikti pritet të flitet edhe në samitin e Tiranës.