Politikë

Samiti rajonal i transportit, Rama: Prej vitesh presim burokracirat e BE-së për segmentin hekurudhor Durrës-Tiranë

Në Tiranë u zhvillua samiti rajonal i transportit, për projekte strategjike që na afrojnë më shumë me njëri-tjetrin. I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku.

Gjatë fjalimit të tij Rama tha se prej vitesh Shqipëria ka pritur procedurat burokratike të BE-së për segmentin hekurudhor Durrës-Tiranë.

Sipas Ramës burokracirat e BE-së krijojnë frustrim dhe shkojnë kundër qëllimeve të mëdha të përbashkëta të BE-së.

Për këtë arsye Rama nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi vetëm në këtë mënyrë do të mund të kemi një zhvillim ndërmjet vendeve.

Rama kërkoi gjithashtu mbështetjen e BE-së për nismën e Ballkanit të Hapur, teksa  tha se jemi në një fazë të avancuar për punën e ndërtimit të korridorit blu.

Jemi besimplotë tha Rama, se në harkun e këtij mandati të tretë qeverisës do të shohim frytet e këtij kantieri shumë të madh.

‘Është një ditë që nis me transportin sigurinë, qëndrueshmërinë e zhvillimit të gjithë sistemit tonë të transportit dhe që vazhdon më pas në Ohër me një tjetër samit ët Ballkanit të Hapur në funksion të ecjes sa më shpejt drejt realizimit të lëvizjes së lirë të njerëzve të mallrave të kapitaleve dhe shërbimeve dhe jetësimit sa më shpejt në këtë rajon të katër lirive të BE-së. Ne jemi në një fazë të avancuar të fushës për punën e korridorit blu. Një nga segmentet e këtij korridori është në rrugën e ndërtimit, segmentet e tjera janë në fazën përfundimtare të daljes në tender ndërkombëtar dhe jemi besimplotë që në harkun e këtij mandate të tretë qeverisës do të shohim frytet e këtij kantieri shumë të madh. Shpresojmë shumë që BE të mbështesë Malin e Zi.

Nëse segmenti që lidh Kroacinë me Shqipërinë do të mbetet i pazhvilluar njëkohësisht, do të humbasë. Nga ana tjetër na vjen shumë mirë që më në fund korridori i 8 ka hyrë në axhendën e diskutimeve.

Porti do të garantojë një aksesueshmëri shumë të lartë me standarde të BE-së për mallrat në të gjithë rajonin. Kjo e kombinuar me hekurudhën Durrës-Prishtinë. Pas një kalvari të gjatë kemi mundur që të zhbllokojmë edhe projektin për hekurudhën Tiranë-Durrës.

Është e kotë të humbasë kohë për të diskutuar nëse projektet tona të rrugëve duhet të jenë kombëtare ose rajonale. Pasi pa sensin e drejtimit rajonal ne jemi të destinuar të mbesim në të shkuarën dhe të humbasim kohë. Këtë vit finalizojmë qendrën e menaxhimit të integruar të trafikut dhe vijmë në fazën e zbatimit të projektit të rrugëve smart me 200 km e para dhe synojmë ta përfundojmë në një afat kohor të arsyeshëm. Të humbasim më pak kohë sepse ne nuk kemi kohë për të humbur”, tha Rama.