Aktualitet

Sanksione të korruptuarve nga BE-ja!

Pas Shteteve të Bashkuara e Britanisë së Madhe, edhe Bashkimi Europian pritet të vendosë sanksione për politikanët e përfshirë në korrupsion. Nismën e bëri të ditur presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një fjalim drejtuar vendeve anëtare të Unionit.

Sipas zyrtares së lartë, Parlamenti Europian duhet të miratojë propozimet për Sanksionet e BE-së, të bëra publike në shkurt të vitit 2022.
Dy ditë më parë ishte kryetari grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili bëri publike këtë iniciativë të Brukselit zyrtar e që sipas tij “do të prekë ata politikanë shqiptarë tashmë “non grata” në SHBA dhe në Britaninë e Madhe”.

Unë mendoj se për çështje të karakterit të luftës kundër korrupsionit, minimit të demokracisë, SHBA-të dhe BE-ja koordinohen mes tyre. Ka një iniciativë të depozituar në Parlamentin Europian e ku kërkohet që personat të cilët janë shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara apo të përfshirë në instrumenta të tjerë që Amerika po implementon për të identifikuar këdo që punon në dëm të demokracisë, natyrshëm një gjë e tillë do të ndodhë edhe në Bashkimin Europian. Sipas vlerësimit tim, një gjë e tillë nuk do të vonojë e do të ndodhë shumë shpejt. Këta persona duhet të kenë të njëjtën qasje nga Parlamenti Europian, pastaj edhe nga vendet e BE-së. Eshtë intuitive që një gjë e tillë të ndodhë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpall non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 19 Maj të vitit të kaluar për akte korruptive që cënojnë demokracinë në Shqipëri, ndërsa më 22 korrik të këtij viti edhe nga Britania e Madhe, për lidhje me grupe të krimit të organizuar.