Bota

Sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, Hungaria tjetër përpjekje për t’i dobësuar!

Hungaria po tenton edhe një herë të dobësojë sanksionet e Bashkimit Europian kundër Rusisë për luftën në Ukrainë. Budapesti zyrtar është duke kërkuar heqjen e nëntë individëve nga lista e personave të sanksionuar për sanksionet që u vendosën ndaj më shumë se 1 mijë e 300 individëve dhe 170 subjekteve, në përgjigje të agresionit rus në Ukrainë. Sipas disa burimeve diplomatike, në mënyrë specifike, Hungaria po kërkon heqjen e Alisher Usmanov, Pyotr Aven dhe Viktor Rashnikov nga lista e ndalimit të vizave dhe ngrirjes së aseteve.

Gazeta zyrtare e BE-së e quan Usmanovin “oligark pro-Kremlinit me lidhje veçanërisht të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin”. Ai u përmend si një nga “oligarkët e preferuar të Putinit”. BE thotë se “Aven është një nga 50 biznesmenët e pasur rusë që takohen rregullisht me Vladimir Putinin në Kremlin dhe nuk vepron në mënyrë të pavarur nga kërkesat e presidentit”.

Rashnikov iu shtua listës në mars, me Brukselin që e përshkruan si “një nga oligarkët kryesorë rusë”. Kjo nuk është hera e parë që Hungaria tenton t’i heqë këta individë nga kjo listë. Vendi u përpoq ta bëjë këtë edhe gjatë rinovimit të fundit të sanksioneve në muajin shtator, por u tërhoq shpejt për shkak të presionit politik.

Lista e sanksioneve duhet të miratohet unanimisht nga të gjitha vendet anëtare të BE-së që ajo të rinovohet dhe afati i ardhshëm për këtë përditësim është data 15 mars. Po ashtu, Hungaria po përpiqet të heqë nga lista e sanksioneve motrën e Usmanovit, Gulbahor Ismailova; ortakun e biznesit të Avenit,

Mikhail Fridman; oligarkun bjellorus Dmitry Mazepin; djalin e tij Nikita Mazepin dhe oligarkët rusë Grygory Berezkin e Viatcheslav Moshe Kantor. Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka qenë kritik ndaj qëndrimit të Bashkimit Europian ndaj Moskës, duke argumentuar se sanksionet e kanë dëmtuar Unionin, madje pa dobësuar Rusinë apo ndihmuar Ukrainën.