Bota

Sanksionet e BE-së ndaj Rusisë nuk ndërpriten!

Bashkimi Europian zgjat me 6 muaj të tjerë sanksionet ndaj Rusisë. Ambasadorët e vendeve të Unionit ranë dakord sot që penalizimet ndaj Moskës, të vendosura në 2014-ën, të mund të vazhdojnë edhe pse fjalën e fundit e kanë kryediplomatët e vendeve të BE-së, në mbledhjen e 12 korrikut.

Sanksionet pasojnë aneksimin që Rusia i bëri Gadishullit të Krimesë dhe shënjestrojnë sektorët kryesorë: bankar, energjitik e të mbrojtjes. Masat do të mbeten në fuqi pasi Plani i Paqes për Ukrainën lindore, për të cilin në 2015-ën pati dakordësi nga Moska, Kievi, Berlini e Parisi, nuk ka shënuar përparim në zbatim.

Krahas aneksimit të paligjshëm të Gadishullit të Krimesë, Rusia ka mbështetur separatistët në lindje të Ukrainës e në luftimet mes tyre e forcave qeveritare ukrainase, mbi 13 mijë persona gjetën vdekjen.

Tensionet u rritën në fillim të këtij viti pasi Kremlini vendosi qindra mijëra trupa pranë kufirit me Ukrainën.

Javën e kaluar, liderët e BE-së kundërshtuan një thirrje nga Gjermania dhe Franca për të rifilluar takimet me presidentin rus Vladimir Putin, të pezulluara që nga viti 2014. Ata thanë se ky do të ishte një lloj shpërblimi për Kremlinin.

Madje i kërkuan shefit të Politikës së Jashtme, Josep Borrell e Komisionit Europian, të paraqesin plane për masa shtesë, duke përfshirë sanksionet ekonomike kundër Moskës nëse marrëdhëniet përkeqësohen më shumë.