Bota

Sanksionet ndaj presidentit Putin, Amerikë-Britani intensifikojnë kërcënimet!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, nuk e përjashtojnë mundësinë e vendosjes së sanksioneve të drejtpërdrejta ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, nëse Rusia pushton Ukrainën. Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss.

Në ditët e ardhshme, ne do të paraqesim legjislacion të ri, që regjimi ynë i sanksioneve të bëhet më i ashpër, që të jemi në gjendje të shënjestrojmë më shumë kompani dhe individë në Rusi.

Referuar sanksioneve për Putinin, deklaroi:

Nuk përjashtojmë asnjë mundësi!

Komentet e sekretares Liz Truss janë të ngjashme me ato që presidenti amerikan, Joe Biden bëri një ditë më parë. Biden u shpreh se do të shqyrtonte mundësinë e sanksioneve ndaj Putinit në rast pushtimi të Ukrainës. Ky është një kërcënim i rrallë që vjen në kohën kur Amerika po dërgon pajisje ushtarake në Kiev dhe liderët perëndimorë po ndërmarrin hapa që synojnë të pengojnë një pushtim të mundshëm rus. Edhe Britania po furnizon Ukrainën me armë.

Joe Biden u tha gazetarëve se “nëse Rusia lëviz në Ukrainë do të ishte pushtimi më i madh që prej Luftës së Dytë Botërore dhe një gjë e tillë do të ndryshonte botën”.

Por, Rusia pretendon se “kriza është shkaktuar nga Amerika dhe NATO”, duke i akuzuar “për përshkallëzim të tensioneve”. Moska mohon se po planifikon të sulmojë, ndonëse dje nisi stërvitjet ushtarake pranë Ukrainës. Në to janë përfshirë mijëra trupa dhe dhjetëra avionë luftarakë.

Ndërkaq, NATO-ja dhe SHBA-të janë duke përgatitur një dokument për të adresuar shqetësimet ruse lidhur me sigurinë në Europë, dokument që do të dërgohet më vonë gjatë kësaj jave. Aty pritet t’i bëhet e qartë palës ruse se NATO dhe qeveritë perëndimore janë të gatshme “të ulen dhe të bisedojnë për çarmatimin, transparencën në aktivitetet ushtarake, mekanizmat e uljes së rrezikut dhe operacionet që janë të rëndësishme për sigurinë europiane”.