Aktualitet Politikë

Satelitët shqiptarë në hapësirë, Ministrja nuk di të thotë sa është buxheti për blerjen e tyre, Berisha i quan “Arnaut 1”.

Pasi qeveria miratoi në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave projekt-buxhetin e vitit 2022, Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj u pyet edhe në lidhje me buxhetin e alokuar për blerjen e satelitëve që do të çohen në orbitë.

Kjo pyetje është shmangur nga ministrja e cila ka thënë se të gjitha detajet mbi buxhetet e alokuara do të bëhen publike gjatë javës në vijim.

Të gjitha detajet mbi buxhetet e alokuara do të bëhen publike gjatë javës në vijim në deklarata të ndryshme të detajuara për çdo sektor, tha ministrja.

Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha nga “foltorja” e radhës që zhvilloi në qytetin e Beratit tha se Rama huton shqiptarët me satelitët “Arnaut 1” dhe “Arnaut 2”, ndërkohë që shqiptarët janë të fundit në rajon për rrogën mesatare dhe në 5 vite janë larguar mbi 500 mijë jashtë atdheut.

Janë rritur çmimet e ushqimeve bazë. Çdo qeveri e përgjegjshme do të indeksonte rritjen e çmimit, nuk ka shtuar asnjë qindarkë në rrogat dhe pensionet tuaja. Pra, kafshata u shtrenjtua edhe më shumë e shqiptarët nuk marrin një qindarkë kompensim. Sepse kreu i Meduzës don t’i hutojë ata me ‘Arnaut 1’ ‘Arnaut 2’, me satelitë 1 me satelitë 2. Sepse problemi i shqiptarëve qenka sateliti dhe u thotë fermerëve do t’i keni të dhënat me satelit. Një mashtrues dhe i pashpirte! Nëqoftëse shqiptarët 8 vite më parë qëndronin në krye të popujve të rajonit për rrogën mesatare, përfshirë edhe bullgarë e rumunë, sot janë të fundit dhe marrin 30% më pak se në Kosovë. Miliarda euro janë marrë borxh. Deklaruan se do të dalin në treg për të marrë 700 mln euro borxh, kur thonë se ekonomia u rrit me 18%, mashtrojnë. Me këtë rritje të borxhit, çfarë është ndërtuar në këto 8 vite? Vetëm 34 km autostradë, janë ndërtuar disa dhjetëra km rrugë të tjera jo autostradë, absolutisht që të gjitha janë shpërdoruar. Sot 1 km rrugë e ndërtuar me paratë tuaja kushton 8-11 herë më shumë se ato që ndërtohen nga Komisioni Europian apo Bankave Evropian. Tenderat i përfiton baxhanaku i Edi Ramës, i cili duhej të përjashtohej nga tenderat”, tha Berisha.

“Në 5 vitet e fundit janë larguar nga Shqipëria 520 mijë qytetarë. Po ndodh një spastrim i heshtur i qytetarëve sepse Edi Rama arreston në një vit 38 mijë qytetarë për fatura energjie dhe uji. Që nuk i arreston kush në botë për çështje civile. Edi shpërndau vetëm gjatë muajit prill 91 milionë euro në zonat e tërmetit për të blerë vota. Përdori bandat dhe kartelet e drogës. Kreu i opozitës në vend të dilte në shesh në mbrojtje të votës suaj, u kthye dhe po merret me karrigen e tij, shtoi ish-kryeministri.

Kryeministri Edi Rama njoftoi 2 ditë më parë se sateliti ‘Albania 1’ do të lëshohet në hapësirë në muajin mars ndërsa sateliti ‘Albania 2’ do të lëshohet në hapësirë në muajin qershor të vitit 2022. Lajmin për dërgimin e satelitëve Rama e bëri me dije në Kuvend duke sjellë të qeshura në radhët e opozitës si dhe më pas solli shumë reagime nga opinioni publik.