Aktualitet

“S’duam lule, duam të drejta”, protestë për gruan në Tiranë!

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, vajza dhe gra shqiptare janë ngritur në shenjë proteste e të mbledhura para Kryeministrisë në Tiranë kërkuan respektimin e të drejtave të tyre. Po ashtu bënë thirrje për fuqizimin e ligjit për mbrojtjen e jetës së gruas, ndërsa më 1 mars, tre gra u vranë e tre të tjera u plagosën në kryeqytet nga shtetasi Dan Hutra, i liruar nga burgu pak kohë më parë.

Me mesazhin se “gruaja është forca zhvilluese e një shoqërie demokratike dhe respektimi i të drejtave të saj do të sjellë stabilitet e zhvillim për vendin”, pjesëmarrëset me pankarta në duar zhvilluan një protestë paqësore. Ato apelojnë që gratë të bashkohen dhe zëri i tyre të dëgjohet nga institucionet e shoqëria, të cilat shpesh kanë tentuar t’i bëjnë të heshtin.

“Dhuna është streha e fundit e dështakëve”, “Duaje veten” “Asnjë grua e vajzë më pak dhe asnjë vdekje më shumë”, “Të ngrejmë zëri për gratë që s’munden”, “S’duam lule, duam të drejta”, ishin disa nga mesazhet që sot u dhanë në emër të grave të të gjithë Shqipërisë.

Për mbarëvajtjen e kësaj proteste u caktuan efektive gra, të cilave iu dhurua një lule mimoze. Forca e gruas është e pamohueshme në zhvillimin e botës. Në vendin tonë që ende është në zhvillim akoma ka shumë për të bërë lidhur me barazinë gjinore, të drejtat e gruas dhe zhvillimin e tyre në shoqëri.

Me thirrjet “Patriarkati vret” dhe “Vrasjet ndaj grave janë të paralajmëruara”, Kolektivi “Marshojmë s’festojmë”, protestoi në Prishtinë, në kërkim të respektimit të të drejtave të grave në Kosovë. Protesta nisi para Pallatit të Drejtësisë e marshimi i pjesëmarrësve vijoi në sheshin Zahir Pajaziti.  Manifestime të ngjashme janë mbajtur edhe vitet e kaluara në Kosovë, po më 8 Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Të pranishmit kërkuan dënime maksimale për vrasësit, dhunuesit e ngacmuesit e grave, si edhe më shumë siguri për to në mjediset publike e private.