Celebrities Live From Tirana Music Showbiz

Së shpejti me këngë të re, Besa Kokëdhima paralajmëron surprizën e saj të radhës!

E ftuar në “Live From Tirana” ka qenë Besa Kokëdhima për të na folur mbi këngët e saj më të reja, “Si kalama” dhe “Machoman”. Ajo është ndalur gjithashtu dhe tek bashkëpunimi me Alban Chela në remak-un e “Zonja dhe zotërinj”, si dhe na ka treguar pak mbi çfarë pritet të sjellë së shpejti…

Si ka lindur bashkëpunimi yt me Alban Chelën?

Albani është një djalë shumë fantastik dhe kreativ dhe në lidhje me këngën ne kishim folur përpara “A Live Night” dhe atëherë thamë, tani është momenti! Ne na bashkon dëshira për muzikën, pasioni për të bukurën , maniakllëku për profesionin. Çfarë na ndan është ndoshta gjinia dhe se Albani punon edhe si DJ dhe unë jam interpretuese, por pse jo do t’i kërkoj të më mësojë.

Nëse do të ktheheshe në 2005 kur ka dalë edhe “Zonja dhe zotërinj”, çfarë do ti thoje Besës së atëhershme dhe a do ishte ajo formula e suksesit tënd me mendësinë artistike që ke tani?

Po të kthehesha mbrapsht nuk e di a do e kisha bërë aq mirë përzgjedhjen e atij materiali, unë ja atribuoj kreditet e asaj gjëje Genti Lakos, sepse përveç se ai ka shkruar një këngë qe ishte regatoni i parë në shqip, ishte ai që e bëri materialin dhe tha ti do e bësh këtë. Dhe unë jam mirënjohëse që ai mendoi për mua sikundër dhe jam mirënjohëse e vetes time që kisha ato kualitete, sepse unë isha ajo vajza rebele dhe tek ai pasqyroja personazhin e duhur që mund t’i bashkangjitej. Ishin kohë të bukura sepse asnjëherë nuk ke shancin e dytë për të dalë në skenë për herë të parë.

Albumi yt i fundit ka qenë gjysmë anglisht dhe gjysmë frengjisht. Çfarë do të na vijë së shpejti?

Unë këngët i kam realizuar të gjitha dhe ne bëmë  prezantimin e parë, i cili ka ecur shumë mirë në Digital Stores. Kjo është një gjë shumë e mirë sepse në Francë radiot janë të parat pastaj vijnë televizionet. Nëse në Digital Stores diçka ecën mirë ështe shumë pozitive. Menaxheri im po planifikon publikimin e single-it të dytë të albumit dhe ka planifikuar disa bashkëpunime me artistë francezë dhe amerikanë.

Po në lidhje me këngët shqip?

Jemi futur në procesin e xhirimit, jam duke punuar një tjetër material që po e realizoj me mikun tim të shtrenjtë Klejdi Bahiti. Unë kam menduar të titullohet “Tik tiki” i cili nuk tregon shumë për tekstin, por është interesante mjaftueshëm. Kemi për të xhiruar klipin dhe besoj nga fundi i nëntorit do ta nxjerrim si material.

Nëse edhe juve ju pëlqen projekti “Zonja & zotërinj”, ju mund të vazhdoni t’i votoni ato për të qenë sa më gjatë pjesë e klasifikimit të “The Top List”.