Aktualitet

Sektori bankar drejt mbylljes së 2022-shit me fitime në rënie!

Rezultati financiar i sektorit bankar u rrit më tej gjatë muajit nëntor 2022, por rezultati vjetor ngelet dukshëm në nivele më të ulëta krahasuar me vitin 2021. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, fitimi neto i sektorit bankar për 11 mujorin 2022 arriti në afërsisht 16.6 miliardë lekë ose rreth 143 milion euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, fitimi rezulton në rënie me 13.4%. Fitimet më të ulëta këtë vit po ndikojnë edhe në tkurrjen e treguesve të rentabilitetit.

Kthimi nga kapitali, mesatarizuar me bazë vjetore, në fund të nëntorit arriti në 9.87%, nivel ndjeshëm më i ulët krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, kur shënonte nivelin 12.49%. Ndërkohë, kthimi nga aktivet për 11-mujorin rezultoi 1.1%, në nivel më të ulët në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur shënonte nivelin 1.34%.

Rezultatet e mësipërme bazohen në standardet lokale të raportimit që aplikohen nga Banka e Shqipërisë për qëllime të mbikëqyrjes bankare dhe kanë vlerë orientuese për performancën financiare të sistemit. Ato mund të ketë ndryshime të ndjeshme krahasuar me rezultatet sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, që përfaqësojnë edhe standardin ligjor të raportimit për bankat dhe që publikohen me bazë tremujore.

Rënia e fitimit të sektorit bankar lidhet me efektet e para të inflacionit dhe sidomos të rritjes së normave të interesit. Megjithëse treguesit e të ardhurave dhe shpenzimeve për muajt e fundit ende nuk janë të disponueshme (publikohen me bazë tremujore), mbështetur në të dhënat e 9-mujorit, vlerësohet se faktori kryesor që ka tkurrur fitimet e bankave ishte përkeqësimi i rezultatit nga instrumentet financiare. Kjo ka ndodhur për shkak të rritjes së shpejtë të normave të interesit, që ka ndikuar negativisht vlerën e drejtë të titujve financiarë në portofolet e bankave.

Megjithatë, ekspertët e sektorit bankar janë të mendimit se në tremujorin e fundit është e pritshme që bankat të ndërmarrin një rritje të provigjioneve apo fondeve rezervë për humbjet nga kreditë. Këtë vit, rritja ekonomike pritet të ngadalësohet ndjeshëm dhe aftësia paguese e kredimarrësve do të vuajë efektet e inflacionit të lartë dhe rritjes së normave të interesit. Një mjedis i tillë mund të shkaktojë një rritje të lehtë të raportit të kredive me probleme dhe bankat po përgatiten për një përkeqësim eventual.

Mbështetur në të dhënat e disponueshme deri në fund të nëntorit, raporti i kredive me probleme ka vijuar rritjen gjatë vitit të kaluar, por me ritme të ngadalësuara krahasuar me vitin 2021. Në fund të nëntorit, ky raport ishte në nivelin 5.05%, shumë afër vlerës më të ulët të regjistruar në 14 vitet e fundit. Bankierët presin që efektet e mjedisit ekonomik me inflacion të lartë dhe norma të rritura interesi të jenë më të dukshme gjatë vitit 2023. /Monitor