Aktualitet

Sekuestrohen 25 mijë litra naftë kontrabandë në Durrës!

Një peshkarexhë me rreth 25 mijë litra naftë kontrabandë, u bllokua në një aksion të fundit të Krimit Ekonomik në Policinë e Durrësit. Në kuadër të hetimeve, materialet paraprake u referuan në Prokurori. Po në Portin e Durrësit, dy muaj më parë, blutë sekuestruan 80 mijë litra karburant të futur kontrabandë përmes një peshkarexhe. Tre persona u shpallën në kërkim.

Policia Kufitare e Durrësit dhe DVP Durrës kanë evidentuar dhe goditur brenda pak orëve, dy raste të veprimtarisë kriminale të kontrabandimit të mallrave të ndryshëm, duke vënë në pranga katër autorët e dyshuar të këtyre rasteve, dy prej tyre vëllezër.

Gjithashtu janë gjendur dhe sekuestruar rreth 25 000 litra naftë, si dhe mallra të tjerë, të dyshuar të kontrabanduar.

Si rezultat i kontrolleve intensive për goditjen e paligjshmërive, shërbimet e PKK Port Durrës në bashkëpunim me autoritetet portuale dhe doganore, ekipin monitorues të Guardia di Finanza dhe me specialistët e seksioneve për Hetimin e Krimit dhe Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Durrës, kanë organizuar dhe finalizuar planin intensiv operacional të koduar “Diesel 2”, në kuadër të të cilit janë evidentuar dhe goditur 2 raste të kontrabandimit të mallrave të ndryshëm dhe janë vënë në pranga shtetasit Sh. C., 43 vjeç dhe R. C., 41 vjeç, banues në Kavajë (vëllezër).

Shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe kanë ndaluar për kontroll anijen e peshkimit me të cilën lundronin shtetasit e arrestuar. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në bordin e anijes së peshkimit, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 25 000 litra naftë, për të cilën këta shtetas nuk dispononin dokumentacionin e nevojshëm.

Në vijim të planit operacional të koduar “Diesel 2”, janë arrestuar edhe shtetasit A. R., 49 vjeç, banues në Fier dhe N. D., 58 vjeç, banues në Lushnjë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në autobusin që drejtonte shtetasi A. R. dhe ku ishte pasagjer shtetasi N. D., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë  e provës materiale, 120 shishe dhe 30 litra verë, si dhe 205 kuti me parfume të markave të ndryshëm, mallra të cilët u gjetën pa faturë blerjeje dhe të padeklaruara në doganë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”, kryer në bashkëpunim.