Aktualitet

Sekuestrohen 400 kg kokainë në Kosovë, droga kishte kaluar në Durrës!

400 kg kokainë u sekuestruan në Kosovë, në një kamion që kishte kaluar nga Porti i Durrësit. Operacioni policor u koordinua nga DEA amerikane pasi kishte informacion që në origjinë për ngarkesën ndërsa iu vendos GPS për të ndjekur lëvizjet.

Droga ishte fshehur në kamionin me mish pule dhe kontenieri që u nis nga Brazili, ndaloi në Gioia Tauro në Itali e më pas në Durrës. Policia shqiptare e konstatoi sasinë e lëndës narkotike por nuk ka ndërhyrë duke lejuar që të përfundonin procedurat për të zbuluar destinacionin final.

Më pas, kamioni hyri në Kosovë dhe në Lipjan u bë sekuestrimi. Kokaina me vlerë 8 milion euro ishte e ndarë në 20 arka. Deri tani, dy janë personat me statusin e të ndaluarve por dyshohet se shumë të tjerë janë përfshirë në trafik.

Krahas DEA-s, pjesë e operacionit u bë edhe pala italiane, pasi Italia ishte gjithashtu vendi ku automjeti bëri tranzitin para ndalesës në Shqipëri e më tej në Kosovë.

Policitë e Shqipërisë e Kosovës pritet të japin një konferencë shtypi me më shumë detaje rreth operacionit.