Aktualitet

Sekuestrohen para’ në Morinë, procedohet një italian!

Policia kufitare në doganën e Morinës ka sekuestruar 12.400 euro dhe 1.850.600 lekë, dhe ka proceduar  penalisht shtetasin italian që nuk i deklaroi në kufi. Policia e Shtetit njoftoi sot se, shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin italian me iniciale S. P.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 12.400 euro dhe 1.850.600 lekë të rinj, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Kukës referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin S. P., 46 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.