Aktualitet

Sekuestrohen pasuritë e ish-gjyqtarëve Lulo, Dedja e Selimi!

Gjykata e Posaçme aprovoi kërkesën e SPAK-ut lidhur me sekuestrimin e pasurive të tre ish-gjyqtarëve Kushtetues e të Lartë, Fatos Lulo, Bashkim Dedja dhe Shkëlzen Selimi.

Argumenti i kësaj gjykate i zbardhur gjatë ditës është se “Nga hetimet e deritanishme ka dyshime se personi nën hetim është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme dhe se pasuritë i ka vendosur gjatë përfshirjes në këtë aktivitet”.

Po ashtu, në vendim thuhet se “Pasuritë do të tjetërsohen ndaj duhen sekuestruar për llogari të procesit penal”. Ndërkaq, konfirmohet se aktualisht janë nën hetim edhe 7 ish-gjyqtarë e prokurorë të shkarkuar nga 20 të verifikuar deri më tani e pritet që pasuritë e tyre të kenë të njëjtin fat.

Të hetuarve iu renditen të gjitha deklaratat periodike ndër vite, mes tyre gjendjet cash, dhuratat e të ardhurat, të dhëna që përkojnë edhe me gjetjet e vetting-ut, për të cilat u shkarkuan. SPAK-u caktoi një ekspert kontabël që kreu ekspertizë dhe jep përgjigje se sa ishin të ardhurat e secilit.

Gjykata e Antikorrupsionit thotë se “dyshohet se Fatos Lulo ka kryer deklarim të rremë sa i takon një dyqani prej 172 m2, pasi kjo pasuri fiktivisht është deklaruar si dhuratë nga një e afërme”. Ish-gjyqtari e ka apeluar vendimin në shkallën e dytë dhe kërkon heqjen e sekuestros.

Për ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykata i referohet SPAK-ut që këmbëngul se banesa prej 60 metrash katrorë e sekuestruar në Durrës, efektivisht zyrtarizohet nga Bashkim Dedja ndonëse formalisht është regjistruar nën emrin e të vëllait, me qëllim për ta fshehur.

Nën sekuestro, Gjykata ka vendosur edhe pasuri të ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, i cili u kontrollua nga vetting-u vetëm për një kriter, atë të figurës por që sërish eksperti kontabël i angazhuar nga SPAK-u nënvizoi gjetje të rëndësishme për hetimin penal.